Negociatat e Korrupsionit në Prizren (VIDEO)

Shoferi i Prokurorisë së Prizrenit Luan Delili, është filmuar nga kamerat e sigurisë tek diskuton me familjen Paçarizi për lëndë të cilat janë duke u hetuar nga kjo prokurori.

Në një hulumtim ekskluziv, i cili është transmetuar të premten, emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar pamjet e filmuara të negociatave në mes shoferit të prokurorisë dhe Familjes Paçarizi, ku janë diskutuar mundësitë që familja Paçarizi të mos i bëjë publike ofertat për të dhënë mito për prokurorin e Prizrenit, Bajram Hamitaga.

Në diskutimet e filmuara nga kamerat e sigurisë, shoferi Delili flet në emër të prokurorit Hamitaga, duke kërkuar nga familja Paçarizi që të ndalë akuzat publike për korrupsion ndaj prokurorit.

Në anën tjetër siç ka transmetuar “Drejtësia në Kosovë”, prokurori Bajram Hamitaga i ka mohuar akuzat për mito të familjes Paçarizi. Ai e ka mohuar të ketë kërkuar para nga anëtarët e kësaj familjeje.

Takimi në mes familjes Paçarizi dhe shoferit të prokurorisë ka zgjatur rreth 30 minuta dhe i njëjti ishte aranzhuar pas akuzave publike  për korrupsion të cilat i akuzuari Granit Paçarizi i kishte bërë në Gjykatën e Prizrenit.

Emisionin e plotë për korrupsionin në prokurori mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: