Të pandehurit në sallën e gjyqit. Foto: MIA.

Në Tetor do të Merren Vendimet për Ngjarjen e Kumanovës

Gjykata e Shkupit tha se vendimet në gjyqin e profilit të lartë për terrorizëm të 37 shqiptarëve të dyshuar për përfshirje në përleshjen e armatosur do të jepen më 17 tetor.

Të pandehurit akuzohen për pjesëmarrje në një shkëmbim dyditor zjarri me forcat maqedonase të sigurisë ku mbetën të vdekur 18 persona, përfshirë tetë oficerë policie, në qytetin verior të Kumanovës në maj të vitit 2015.

Nëse shpallen fajtor, të gjithë të pandehurit rrezikojnë dënime që variojnë nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Në seancën dëgjimore të së mërkurës, avokatët e të pandehurve, në deklaratat e tyre mbyllëse në gjykatë, këmbëngulën se provat kundër klientëve të tyre ishin të pamjaftueshme dhe rrethanore dhe se ata duhet të liroheshin nga akuzat.

Disa nga të pandehurit, të cilët e pranuan pjesëmarrjen e tyre në grupin e armatosur që u përlesh me policinë në Kumanovë, i qëndruan pretendimit të tyre të mëparshëm se ata ishin viktima të një kurthi të motivuar politikisht.

Pas dhunës, shumë shqiptarë, si dhe socialdemokratët që atëherë ishin në opozitë, LDSM, thanë se dyshonin se shkëmbimi i zjarrit ishte një kurth i organizuar për të larguar vëmendjen e publikut nga trazirat në rritje politike pasi opozita filloi të publikonte detaje inkriminuese të bisedave të përgjuara midis zyrtarëve të lartë shtetëror nga partia e VMRO DPMNE, e cila që atëherë është rrëzuar nga pushteti.

Që nga tetori i vitit të kaluar, mbrojtja ka thënë se dëshiron që një gjeneral policie në pension që tani është kreu i partisë së vogël opozitare Dinjitet, Stojance Angelov, dhe Ali Ahmeti, kreu i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, të paraqiten si dëshmitarë me shpresën për të hedhur dritë të re mbi ngjarjet e ndodhura.

Por gjykata i hodhi poshtë këto kërkesa, duke cituar një ligj që ndalon thirrjen e dëshmitarëve shtesë në mes të gjykimit, vetëm në rast se ata përmenden në dëshmitë e njerëzve të tjerë si potencialisht të rëndësishëm për çështjen.

Gjyqi filloi në shkurt 2016.

Por në fillim të qershorit të vitit të kaluar, procedurat gjyqësore u desh të rifillonin pasi prokuroria vendosi ta shkrinte çështjen me një çështje tjetër të lidhur me të, në të cilën tetë persona dyshohet se kanë ndihmuar grupin e armatosur të dyshuar si të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit me policinë.

Prokuroria pohon se burrat vodhën armë nga një rajon policie, të cilat ata i përdorën për sulmin ndaj forcave të sigurisë në Kumanovë më 9 dhe 10 maj 2015.

Të pandehurit i mohojnë akuzat dhe këmbëngulin se shkëmbimi dyditor i zjarrit ishte rezultat i tyre që mbroheshin nga policia.

Duket se çështja dhe polemikat që e rrethojnë atë s’do të përfundojnë me vendimin e gjykatës.

Më herët këtë muaj, duke folur për dyshimet publike në lidhje me këtë çështje, kryeministri i ri Zoran Zaev, kreu i LSDM-së, qeveria e të cilit u zgjodh në maj, tha për mediat se ai dëshiron që të ketë një rigjykim dhe nëse kjo ndodh, autoritetet duhet të kërkojnë ndihmë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare për të hequr çdo dyshim në lidhje me çështjen.