Vendi ku u zhvarros trupi i personit N.N.

Në Shqipëri Zhvarroset Trupi i një ‘Kosovari’

Nën urdhëresën e Prokurorisë Speciale dhe në bashkëpunim juridik me Shqipërinë, Instituti i Mjekësisë Ligjore së bashku me EULEX-in dhe nën mbikëqyrjen e prokurores për krime lufte Drita Hajdari, kanë zhvarrosur sot në fshatin Domaj të Shqipërisë trupin e një personi të paidentifikuar, i cili është varrosur aty në kohën e luftës në Kosovë.

“Po, e kemi gjetur një trup. Jemi duke u kthyer në Kosovë. Këto ditë do të bëhet autopsia”, ka thënë për KALLXO.com Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Në maj të vitit 1999, banorët e Domajt gjetën në afërsi të lumit Drini i Bardhë një trup të pajetë e të panjohur për ta.

Për shkak të afërsisë së kufirit të Kosovës me vendin ku edhe është gjetur kufoma, banorët e fshatit dyshuan se trupi i pajetë është sjellë nga Kosova nga lumi.

Pas varrosjes së trupit, banorët e fshatit e kanë emërtuar varrin si “Varri i Kosovarit”.

Autopsia që do të kryhet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore do të mundësojë identifikimin e këtij personi.

Aktualisht numri i të pagjeturve si pasojë e luftës së fundit në Kosovë është 1,658.

http://kallxo.com/familjaret-kerkojne-presion-mbi-serbine-per-te-pagjeturit/