Ilustrim

Në Prishtinë Gjykimi për 50 Kilogramë Heroinë

Vepra e krimit të organizuar në rastin e Berishës lidhet me blerjen dhe shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm

Në seancën e sotme u paraqitën kundërshtimet e aktakuzës të bëra nga mbrojtja e Berishës.

Avokati Hamdi Jashanica, mbrojtës i Gazanfer Berishës tha se aktakuza nuk ka bazë ligjore.

“ Mbetëm pranë pretendimeve të paraqitura në kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës, sepse ne si mbrojtje konsiderojmë se kërkesat tona janë të bazuara dhe i propozojmë gjykatës që t’i aprovojë,” vlerësoi Jashanica.

Ndryshe nga Jashananica, pretendim tjetër për aktakuzën kishte  prokurori Abdurrahim Islami.

“ Sa u përket kundërshtimeve për provat dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, janë të pabazuara ngase aktakuza i ka specifikuar të gjitha veprimet e këtij grupi. Nga prokuroria ekzistojnë prova të besueshme që e inkriminojnë të akuzuarin në kryerjen e veprave penale dhe i propozojmë gjykatës që këto kundërshtime tëmbrojtjes t’i refuzojë,” tha Islami.

Pas paraqitjeve të pretendimeve të prokurorisë dhe mbrojtjes, Nora Bllaca, kryetare e trupit gjykues i refuzoi kundërshtimet e mbrojtjes me arsyetimin se aktakuza është e bazuar në prova të mjaftueshme.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 18 mars të këtij viti, i akuzuari Gazanfer Berisha në mars të vitit 2011 ka organizuar dhe formuar një grup kriminal ku janë përfshirë Sanije Berisha, Fatmir Sejdiu, Artan Kuqi dhe njëperson tjetër i paidentifikuar nga Stambolli i njohur me emrin “Sadiku”.

Prokuroria pretendon se Berisha ka drejtuar këtë grup i cili ka importuar substanca narkotike nga Turqia për në Kosovë e Shqipëri.

Pretendohet se ky grup ka blerë 50 kilogramë heroinë në Stamboll në periudhën prill-gusht 2011.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Gazanfer Berisha, Sanije Berisha e Fatmir Sejdiu kishin blerë në Stamboll rreth 22.992 gramë heroinë, e cila sasi droge ishte gjetur dhe konfiskuar në pikën kufitare në Han të Elezit.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 25 korrik.