Foto-ilustrim - Foto: KALLXO.com

Në Pranga Fajdexhiu i Dyshuar

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, e asistuar nga njësitet policore të Gjilanit dhe Ferizajt, ka arrestuar sot një person, i cili dyshohet për veprën penale “fajde”.

Operacioni policor, i realizuar në një fshat të Vitisë, është bërë me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Ferizajt.

I dyshuari i arrestuar në këtë rast është A. R., i lindur në vitin 1963.

Personi i arrestuar dyshohet se në fillim të vitit 2015 i ka dhënë një personi nga qyteti i Ferizajt 22.000 franga zvicerane, kurse në muajin qershor të vitit 2016 të njëjtit ia ka kërkuar 70.000, në formë kamate të jashtëligjshme.

Sipas Policisë, në pamundësi të kthimit të kësaj kamate viktima është detyruar t’ia japë të dyshuarit një shtëpi banimi, në të cilin gjendet edhe një lokal afarist.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar disa dokumente për shitblerjen e patundshmërive, fletore të ndryshme, etj.

Për momentin, sipas Policisë, i dyshuari është duke u intervistuar nga ana e hetuesve të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike.