Obiliqi - Foto: KALLXO.com

Në Obiliq, Ankesa në Heshtje për Ajrin e Ndotur

Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës këto ditë ka nxjerrë raportet ditore në të cilat Prishtina dhe Obiliqi janë vënë në vend të parë për ajrin e ndotur.

Derisa në Prishtinë ka pasur protesta për ndotjen e ajrit, në Obiliq banorët po e shprehin brengën e tyre se ky ambient ka ndikuar në rritjen e sëmundjeve kancerogjene në këtë komunë.

Fshati Dardhishtë i komunës së Obiliqit është “lokalizuar” si vend i ndotur nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Në këtë fshat, pikërisht në oborrin e shkollës gjendet i vendosur aparatura për matjen e cilësisë së ajrit.

Ibrahim Kosumi nga Dardhishta tha për KALLXO.com se banorët ndihen të rrezikuar nga ndotja e ambientit sidomos nga mihja e KEK-ut, e cila gjendjet shumë afër këtij fshati.

“Këtu vend për jetë të njerëzve nuk është, as për kafshë. I kam do shota qatje që i mbajmë, ato 1 vjet ose as 5 a 6 muaj ngordhin. Pinë ujë, e uji i ndytë, ambienti shumë i ligë. Ama për njerëz , për lindje, për fëmijë, shtatzëna këtu katastrofë është shumë”, tha Kosumi.

Ndërsa banori tjetër i po këtij fshati, Osman Gërguri, tha se Obiliqi është vendi më i ndotur në Kosovë i cili sipas tij ka shumë banorë me sëmundje malinje.

“Me marrë komunën e Obiliqit, ajo ka ndotje gjithkah. Fatkeqësisht dihet që janë 30-40 njerëz që kanë vdekur prej kancerit. Tash qysh po flitet shkaku i ndotjes po vjen edhe te kjo  sëmundje”, deklaroi Gërguri.

E jo vetëm fshati Dardhishtë i komunës së Obiliqit ka rrezikshmëri të lartë nga cilësia e ajrit.

Edhe në qendër të qytetit banori Shaban Bllaca thotë se gjendja e ajrit në Obiliq ka qenë gjithmonë e dobët.

“Unë si banor jam i rrezikuar sepse unë kam pas sulm edhe tash dola se nuk guxoj të dal kur është mjegull, terr e pluhur. Te fëmijët e te gjithë ndikon kjo. Merre tash statistikën në këtë rrethinë, nuk e di numrin e saktë, por veç në Dardhishtë janë diku mbi 30 veta prej kancerit. Nuk ka javë që nuk vdes dikush prej kancerit në Komunën e Obiliqit”, tha Bllaca për KALLXO.com.

Ndërsa drejtori i Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, Haki Jashari tha se këto ditë fluksi i pacientëve është rritur për 40 për qind.

“Si pasojë e ndotjes së ambientit dhe mjegullave që kanë qenë, ka qenë i reflektuar shumë sidomos të moshat e reja dhe fëmijët si dhe te pleqtë dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike respiratore, të cilat në komunën tonë janë të shumta”, tha Jashari për KALLXO.com.

http://kallxo.com/prishtinasit-protestojne-per-ajer-te-paster/

Jashari tha se fatkeqësisht në komunën e Obiliqit ka rritje të numrit të personave të prekur me sëmundjet malinje.

“Më herët e kemi pasur diku një mesatare, rreth 1 rast në muaj me sëmundje malinje, sëmundjet kanceroze ndërsa tash kemi 2 ose 3 raste në muaj që shfaqen”, deklaroi Jashari.