Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik - Foto: KALLXO.com

Në Mungesë të Dokumentacionit Shtyhet Votimi për Pallatin e Rinisë

Mungesa e dokumentacionit bëri që Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik ta shtyjë votimin e propozimit që Pallati i Rinisë të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës.

Për shtyrjen e votimit deri të premten në ora 10:00, kohë deri kur duhet të kompletohet dokumentacioni, votuan 4 anëtarë të Komisionit (Bilall Sherifi, Hykmete Bajrami, Mimoza Kusari-Lila, Sala Berisha-Shala), një abstenoi (Dardan Sejdiu) dhe dy nuk votuan (Dardan Molliqaj e Duda Balje).

Gjatë kësaj mbledhjeje pati mospajtime ndërmjet deputetëve të Vetëvendosjes dhe deputetëve të tjerë rreth propozimit për shtyrjen e votimit.

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, tërhoqi vërejtjen për mungesë dokumentacioni në dosjen që është paraqitur para anëtarëve të Komisionit.

“Dosja nuk është e plotë”, u shpreh ajo.

Ngjashëm u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.  “Unë nuk i kam marrë këto materiale”, tha Bajrami.

“Propozoj që të obligohet Administrata e Kuvendit që të kompletohet dosja”, shtoi ajo.

Ndërkaq, deputetët nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj, propozuan që propozimi t’i shkojë Kuvendit, ndërsa dosja të kompletohej po aty.

“Qeveria nuk i ka përcjellë krejt dokumentet e nevojshme. Nuk është asnjë shkelje, nuk shoh arsye që të zvarritet më tutje”, u shpreh Molliqaj.

Dardan Sejdiu, ndërkaq, e kundërshtoi ashpër idenë e shtyrjes së votimit.

“Fondet e Komisionit Europian nuk presin. Bëhet fjalë për 33 milionë euro”, tha ai duke iu referuar investimeve potenciale në Pallatin e Rinisë.

“Pallati i Rinisë është duke u keqpërdorur, keqshfrytëzuar dhe keqmenaxhuar”, shtoi Sejdiu.

Kurse, Sala Berisha-Shala, kryesuese e Komisionit Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, nga grupi parlamentar i PDK-së, tha se Qeveria ka gabuar kur i ka drejtuar kërkesë AKP-së për kalimin e Pallatit të Rinisë në pronësi të Komunës së Prishtinës.

“Qeveria është dashur t’i drejtohej Kuvendit”, tha ajo.

Gjjithashtu, ajo tërhoqi vërejtjen edhe për tekstin e vendimit të Qeverisë.

“Qeveria nuk është dashur të marrë vendim por propozim-vendim”, shtoi Berisha-Shala.

Të premten në orën 10:00 pritet të mbahet mbledhja e ardhshme e Komisionit, ku do të vendoset se a do të procedohet në Kuvend nisma për kalimin e Pallatit të Rinisë në pronësi të Komunës së Prishtinës.

KALLXO.com ka raportuar më herët se pas takimit me Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryeministri Haradinaj i ka bërë kërkesë AKP-së për fillimin e procedurave në mënyrë që Pallati i Rinisë të kthehet në pronësinë e Komunës së Prishtinës.

http://kallxo.com/takohen-ramush-haradinaj-e-shpend-ahmeti/

“Për Pallatin e Rinisë, Kryeministri është dakorduar me kryetarin e Prishtinës se sa më parë duhet të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës si ndërmarrje publike komunale”, thuhej në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit më 21 dhjetor 2017.