Në Mejë Kërkohet Angazhim për të Pagjeturit

Presidenti Hashim Thaçi tha se sot po kujtojmë jo vetëm dhimbjen për të pagjeturit, por edhe sakrificën e dëshmorëve të lirisë.

“Institucionet e Kosovës, shoqatat që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve për vite të tëra po bëjnë çdo gjë që munden që të zbardhet fati i të pagjeturve. Por për këtë mision nuk mjafton vetëm angazhimi i institucioneve të Kosovës, prandaj kërkohet veçanërisht edhe nga ndërkombëtarët një rritje e kësaj përgjegjësie në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve,” tha ai.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur Prenk Gjetaj tha se ende nuk është koha të flitet për pajtim me ata që shkaktuan këtë masakër.

“Ata të cilët ishin përgjegjës për krimet të japin llogari para drejtësisë dhe tek atëherë mund të flasin dhe të bisedojmë për fqinjësinë, për marrëdhënie dhe për pajtim,” tha Gjetaj.

Ramadan Hoti, nënkryetar i Komunës së Gjakovës kërkoi nga institucionet kosovare të rregullohen varret e 376 të vrarëve në Mejë.

“Me kontributin e përbashkët në përvjetorin tjetër bijtë dhe bijat tona do t’i nderojmë në një ambient edhe më të mirë sesa që e kemi sot,” tha ai.

Haki Sadria që foli në emër të familjeve të të pagjeturve tha se është shumë e rëndësishme që ata që humbën të afërmit të mos ndihen vetëm.

“Kudo në Kosovë kishte  vrasje, dhunime e zhdukje e që sot të gjithë po e ndajmë dhembjen së bashku-një ditë me këto nënat tek varri i fëmijëve dhe vëllezërve dhe motrave tona për t’u bindur se nuk janë vetëm,” tha ai.

I pranishëm ishte edhe përfaqësuesi special i BE-së Samuel Zhbogar i cili bisedoi me familjarët e të pagjeturve dhe vendosi kurorë  lulesh për të nderuar viktimat e luftës.