Nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë

Në Maj ose Qershor Mbledhja e Dy Qeverive

Në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Mustafa tha se është marrë vesh me homologun e tij Rama që kjo mbledhje e përbashkët të mbahet në javën e fundit të majit, ose të parën e qershorit.

“Jemi dakorduar me Ramën që takimi të jetë përafërsisht fundi i majit, java e parë e qershorit,” tha Mustafa.

Mustafa propozoi që të caktohen ministrat që do të përgatisin këtë mbledhje dhe datën e kohën e saktë të saj.

“Propozoj që t’i caktojmë ministrat që në mbledhjen e ardhshme të qeverisë të vijnë me një propozim për kohën, vendin si dhe ministrat të mendojnë nëpër ministri përkatëse që t’i kenë gati marrëveshjet që do t’i lidhim në takimin e ardhshëm,” tha Mustafa.

Për organizim të kësaj mbledhjeje Mustafa autorizoi Kujtim Shalën, Hajredin Kuçin, Mahir Jagcilarin dhe Petrit Selimin.

Mustafa tha se në takimin e tretë të dy qeverive do të diskutohet edhe për dy takimet e para.

Takimi i parë i qeverive të Kosovës e Shqipërisë u mbajt në Prizren në janar të vitit 2014. Në mars të 2015-ës u mbajt takimi i dytë në Tiranë.