Kryesia e Kuvendit, 22 janar 2018. Foto: Kallxo.com

Në Kryesi të Kuvendit Mungon Vetëm Aida Dërguti

Ka nisur mbledhja e kryesisë së Kuvendit në të cilën pritet të diskutohen disa pika të rendit të ditës për seancën e ardhshme të Kuvendit.

Për dallim nga mbledhjet e kaluara kur ka qenë e bllokuar, këtë herë kryesia ka siguruar kuorumin e nevojshëm për të mbajtur mbledhjen.

Aida Dërguti nga vetëvendosje është e vetmja anëtare e kryesisë që po mungon në këtë takim.

Në rend të ditës nuk figuron pika e kërkesës së një grupi të deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ndër pikat e rendit të ditës është votimi i Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016; shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016; shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018; formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës; dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa.

Ndër çështje tjera kryesia do të diskutojë edhe për përgatitjet për seancën e radhës, në të cilën, mesin e të pikave të rendit të ditës është edhe një interpelancë e Kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga z. Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.