Ilustrim

Në Korrik Çmimet Njësoj me Qershorin

“Në muajin korrik 2016, Indeksi i Tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në vend është i pandryshuar (0.0%), krahasuar me muajin qershor 2016,” thuhet në njoftimin e ASK-së.

ASK-ja në publikimin e saj thotë se për dallim nga indeksi i tërësishëm, te disa nëngrupe janë vërejtur ndryshime në çmime, krahasuar me qershorin.

“Përkundër mosndryshimit të Indeksit të Tërësishëm të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: pemë (3.4%), shërbime për transport (10.2%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3% në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupi i perimeve për (-8.5%) me një ndikim prej (-0.3%) në IHÇK. ”, thuhet në publikimin e ASK-së

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit këtë korrik mbetet i pandryshuar edhe në krahasim me korrikun e 2015-ës.

“Krahasuar me muajin korrik 2016 me muajin korrik 2015, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit nuk ka pasur ndryshime,” tregon ASK-ja.

Por sikurse në krahasim me muajin qershor, edhe kur krahasohen muajt korrik të 2016-ës dhe 2015-ës, ka disa ndryshime çmimesh.

“Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: mish (1.2%), sheqer dhe ëmbëlsira (9.1%), ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2.2%), pije alkoolike (5.0%), duhan (10.1%), veshje (3.0%), orendi dhe aparatura, qilima dhe shtroja të tjera për dysheme (2.6%), prodhime dhe pajisje mjekësore (3.2%), blerje e automjeteve (1.4%), shërbime për transport (10.9%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 % në IHÇK,” vazhdon publikimi i ASK-së.

Rënia e çmimeve në këtë korrik në raport me korrikun e 2015-ës kishte te pemët, perimet, buka dhe drithërat kontribuoi në neutrazlimin e çmimeve

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-4.5%); pemë (-7.8%); perime (-8.1%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-6.7%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-4.9%) – (përshkallëzimi i TVSH-së me 8.0% nga muaji shtator i vitit 2015 te buka dhe drithërat, uji dhe rryma ka ndikuar në rënie të IHÇK-së në një masë prej (-0.8%) në këtë periudhë); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-7.1%) – (rënie e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.7%) në IHÇK,” thuhet në publikim.

Zero për qind ishte shkalla e inflacionin e muajit korrik e matur në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.