Në Grevë për Borxhin e Këshillit Prokurorial

Avokatët e regjionit të Mitrovicës kanë hyrë në grevë që nga 1 shtatori pasi Këshilli Prokurorial u ka mbetur borxh për punën e kryer sipas detyrës zyrtare.

Grevën tashmë dyjavëshe e konfirmoi për KALLXO.com avokati Bashkim Mehana.

“Për shkak të mospagesës nuk jemi duke përfaqësuar palë në prokurori dhe polici,” tha Mehana.

Për grevën e avokatëve ka dijeni edhe kryeprokurori i Mitrovicës Shyqyri Syla.

“Këshilli Prokurorial është vonuar me disa pagesa dhe këta kanë hyrë në grevë për shkak të këtyre pagesave, mirëpo ata ato pagesa do t’i marrin vetëm se ka vonesa,” tha Syla për KALLXO.com.

Syla tregoi se në mungesë të avokatëve, shteti nuk është duke ua siguruar mbrojtjen palëve që janë të detyruara të kenë avokat në polici e prokurori, ndërsa sipas tij avokatët këto palë janë duke i paguar vetë.

Për grevën në Mitrovicë është e njoftuar edhe Oda e Avokatëve të Kosovës, sipas një përgjigje të saj me shkrim dhënë për KALLXO.com.

Kjo odë bën me dije se i ka shkruar Këshillit Prokurorial në lidhje me mospagesën

“Në përgjigje të shkresës të pranuar nga KPK-ja me datë 15.07.2016, OAK-u është informuar se me buxhetin e lejuar për vitin 2016 janë paguar nga ana e KPK-së obligimet e mbetura të vitit 2015, muaji janar i vitit 2016 si dhe pjesërisht muaji shkurt i po këtij viti,” thuhet në përgjigjen e odës.

Oda tregon se KPK-ja ka kërkuar mjete shtesë për pagesën e avokatëve sipas detyrës zyrtare, por ato mjete nuk i janë dhënë.

“Jemi informuar se me kërkesën për rishikimin e buxhetit për vitin 2016, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kërkuar mjete shtesë për këtë kategori. Oda e Avokatëve të Kosovës është informuar se kërkesat financiare për mjete shtesë nga KPK-ja nuk janë aprovuar në procesin e rishikimit të buxhetit të Kosovës,” vijon përgjigjja e odës.

Oda e Avokatëve përkrah grevën që po zhvillohet në regjionin e Mitrovicës.

“Oda e Avokatëve të Kosovës mbështet plotësisht këto qëndrime dhe në mbledhjen e radhës të Këshillit Drejtues do të dalë me qëndrim zyrtar për hapat e mëtutjeshëm qe do të merren në nivel të Kosovës, përballë kësaj situate mjaft të ndjeshme për sistemin e drejtësisë në Kosovë,” thuhet në përgjigjen e odës..

Edhe Këshilli Prokurorial e pranon se është njoftuar nga oda për grevën e avokatëve në Mitrovicë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës zyrtarisht është informuar lidhur me këtë çështje nga Oda e Avokatëve të Kosovës,” tha për KALLXO.com Hekrem Lutfiu, zëdhënës i KPK-së.

Ai tregoi se KPK-ja po pret mjte nga institucionet për të paguar avokatët.

“Në vazhdimësi KPK-ja ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës rritjen e buxhetit lidhur me këtë kategori, pasi që kemi mungesë të mjeteve financiare dhe jemi në pritje të një përgjigjeje nga ana e tyre,” tha Lutfiu.