Foto: Atdhe Mulla

Në Gllogjan Votohet Jashtë Qendrës së Votimit

Në KALLXO.com është raportuar nga një qytetar se në Qendrën e Votimit (0107C), në Shkollës “Heronjtë e Dukagjinit” në fshatin Gllogjan, fletëvotimet janë nxjerrë jashtë Qendrës se Votimit për të votuar dy persona me aftësi të kufizuar.

Menaxheri i Qendrës së Votimit, Ali Selmanaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se dy persona me aftësi të kufizuara kanë votuar jashtë qendrës së votimit.

Tha se tre komisionerë kanë vendosur që të lejojnë që fletëvotimet të dalin jashtë qendrës së Votimit.

“Komisionerët e kanë përcjellë fletëvotimin deri në veturë për dy persona me aftësi të veçanta, sepse ata nuk kanë mundur të hyjnë në vendvotim. Tre komisionerët e kanë lejuar votimin diku 10 metra afër Qendrës se Votimit”, tha Selmanaj.

Rasti është paraqitur edhe në Prokurorinë e Shtetit.

“Për këtë rast kanë qenë edhe prokuroria, por janë pajtuar të ndërpritet ajo praktikë, sepse është e palejueshme. Është menduar se lejohet, por është kërkuar të ndërpritet se është praktik e keqe. Prokuroria ka marrë deklaratat dhe nuk e ka ndaluar askënd”, ka thënë Ali Selmanaj për KALLXO.com.