Në Gjyqin për Ryshfet, i Akuzuari Dëshiron Mbrojtje Kualitative

Për shkak se mungoi avokati i tij, i akuzuari Arton Hoti kërkoi shtyrjen e seancës me arsyetimin se në këtë fazë të procedurës dëshiron të ketë një mbrojtje kualitative.

Pas konsultimit me anëtarët e tjerë të trupit gjykues, kryetarja Shadije Gërguri tha se ka vendosur të shtyjë seancën ku parashihej të jepej fjala përfundimtare.

“Edhe pse këtu nuk parashihet mbrojtja obligative dhe këtë e dini prej fillimi, do të shtyjmë seancën për fjalën përfundimtare për datën 3 korrik në orën 9:00”, tha Gërguri.

E avokati Asdren Hoxha e cilësoi të drejtë vendimin e Gjykatës.

“Mendoj që trupi gjykues ka vepruar drejt duke pasë parasysh se kanë menduar në respektimin e të drejtave maksimale të procedurale të pandehurve në procedurë dhe që në asnjë mënyrë të mos i mohohet e drejta për një mbrojtje efektive”, tha Hoxha.

Kjo seancë për arsye të ndryshme është shtyrë disa herë, ndërsa një pjesë e veprave janë parashkruar.

http://kallxo.com/vjetersohet-nje-pjese-e-aktakuzes-ne-gjykimin-per-ryshfet/

Sipas aktakuzës, Esat Belaj ngarkohet se nga 9 shtatori 2012 deri më 16 shtator 2012 si student senator, duke shfrytëzuar ndihmën e të pandehurve Leonard Bytyqi dhe Albion Haxhijaha, kërkoi në mënyrë të tërthortë dhe pranoi shumën e parave në vlerë prej 4,500 eurove.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë shumë e kishte dhënë Amonda Orllati, po ashtu e akuzuar në këtë proces gjyqësor, me qëllim që të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë, dega e Stomatologjisë.

Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevludin Beqiri akuzohen se kanë kërkuar e në disa raste kanë pranuar dhurata të ndryshme në para në shuma 150, 200, 350, 400 e deri në 1,400 euro.

Pjesë e këtij procesi janë edhe Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, ndërsa Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi akuzohen për ndihmë lidhur me marrje të ryshfetit.

Amonda Orllati dhe Shaqir Reçica akuzohen për dhënie të ryshfetit.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces dhe raportimet mund t’i gjeni këtu.

http://kallxo.com/sms-qe-flasin-per-provime-e-para-ne-gjykimin-e-studenteve/