Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Në Gjyqin për Grabitje Kërkohet Hedhja e Aktakuzës

Këtë e konstatoi në fillim të shqyrtimit gjyqësor kryetarja e trupit gjykues, e cila tha se një kërkesë të tillë e ka pranuar nga avokati Asdren Hoxha.

Me këtë rast, avokati zëvendësues me autorizim i Rinor Grajqevcit, Artan Qerkini, deklaroi se e kundërshton procesverbalin e intervistimit të dëshmitarit Adhurim Lepja, pasi që pandeh që ai nuk e ka thënë të vërtetën në atë intervistë. Po ashtu, avokati deklaroi se nuk e njeh as raportin e lëshuar nga PTK-ja.

“Në bazë të vërtetimit për konfiskimin e gjësendeve nuk vërtetohet se telefoni i të pandehurit është konfiskuar ndonjëherë për t’u bërë ky lloj i krahasimit edhe pse këtë raport të quajtur IMSI të PTK-së e konsideroj si të papranueshëm. Unë as këtë raport nuk e pranoj”, deklaroi në arsyetimin për kërkesën për hedhje të aktakuzës avokati Qerkini.

Ndërsa prokurori i rastit, Armend Hamiti, e kundërshtoi këtë kërkesë për hedhje të aktakuzës me arsyetimin se pasi që të dëgjohet dëshmitari Armend Ejupi dhe pasi që të merren dëshmitë nga raportet e PTK-së do të vërtetohet që i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Lidhur me kërkesën për hedhje të aktakuzës mund të them se në shkresat e lëndës pasi që të dëgjohet i dëmtuari, dëshmitari Ardian Ejupi, i cili ka qenë i dëmtuar në këtë rast e po ashtu kur të merren parasysh edhe dëshmitë apo provat që janë paraqitur në raportin e PTK-së, do të vërtetohet dyshimi i bazuar se i akuzuari është kryes i veprës penale me të cilën ngarkohet në aktakuzë andaj mendoj se kjo kërkesë për hedhje të aktakuzës nuk duhet të pranohet”, deklaroi prokurori Hamiti.

Lidhur me kërkesën për hedhje të aktakuzës kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, mori aktvendim me të cilin refuzoi kërkesën për hedhje të aktakuzës.

“Refuzohet kërkesa për shpallje të pavlefshme të provave dhe hedhje të aktakuzës sepse provat e propozuara në aktakuzë janë marrë në respektim të dispozitave të procedurës penale”, tha në arsyetimin për refuzim të kërkesës për hedhje të aktakuzës gjyqtarja Shadije Gërguri.

Sipas aktakuzës, Rinor Grajqevci në maj të vitit 2013, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, në bashkëveprim me personin NN, me qëllim që t’i sjellë vetës dobi pasurore, të kundërligjshme, me veturës e tipit “VW GOLF 4”, është afruar te dera e marketit të pompës së derivateve “Sllovenia Petrol”, ku për shkak të afërsisë senzorët nuk e kanë mbyllur derën dhe duke e shfrytëzuar këtë situatë me përdorimin e mjetit të rrezikshëm, me thikë në dorë, ka dalë nga vetura dhe ka hyrë me vrap në lokal.

Siç thuhet në aktakuzë Rinor Grajqevci posa ka hyrë brenda të dëmtuarit Ardian Ejupi ia ka vënë në fyt thikën, e ka vendosur në një kënd në raft, pastaj i ka marrë paratë në vlerë prej 560 euro si dhe 3 “boksa” cigare dhe me shpejtësi largohet nga vendi.

Në bazë të aktakuzës thuhet se Rinor Grajqevci me anë të këtyre veprimeve ka kryer veprën penale grabitje.

Pasi që në seancën e kaluar i akuzuari nuk ishte paraqitur në Gjykatë dhe mungesën nuk e kishte arsyetur, kryetarja e trupit gjykues për të siguruar prezencën e tij kishte lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij nga Policia.