Pamje nga një seancë e kaluar në rastin e MTPT-së - Foto: KALLXO.com

Në Gjyqin e Limajt Dëshmon Djali i Dëshmitarit të Ndjerë

Bekim Shkodra ishte dëshmitari i radhës në gjykimin ku Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar për kohën sa ishte ministër i Transportit.

Prokurori amerikan Charles Hardaway ishte i pari që i parashtroi pyetje dëshmitarit Bekim Shkodra, por përgjigjet e këtij të fundit shpesh ishin “nuk më kujtohet”.

Bekim Shkodra, tani pronar i kompanisë “Intereuropa”, tha se vetëm pas vdekjes së babait të tij, Mehmet Shkodra, e kishte kuptuar se ai kishte paraqitur një rast në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Dëshmitari tha se Limajn e njihte vetëm përmes televizionit dhe se nga afër e kishte parë vetëm në kohë të zgjedhjeve.

Prokurori Hardaway e ballafaqoi atë me një deklaratë të dhënë nga babai i tij, tani i ndjerë, duke e pyetur se a e kishte gabim babai juaj kur thoshte se ju e njihnit Limajn?

“E kishte gabim. Unë e njoh atë vetëm përmes televizionit”, u përgjigj Bekim Shkodra.

Prokurori më pas e pyeti dëshmitarin se a i kujtohej një SMS i dërguar nga babai i tij për të më 19 maj 2008 e ku thuhej se “Kam folur me ministrin dhe unë do të shkoj të shikoj se çfarë ka”. Dëshmitari tha se nuk i kujtohej.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se a kishte qenë ndonjëherë në Ministrinë e drejtuar nga Limaj për dosjen e tenderit të rrugës Ponesh-Zhegovc, dhe se a ishte takuar me Limajn dhe a ia kishte kaluar në telefon babanë e tij?

Dëshmitari kësaj radhe pati një përgjigje më të detajuar.

“Po kam qenë në Ministri dhe e kam takuar Limajn në korridor”, u përgjigj Shkodra.

Me “Po” dëshmitari u përgjigj edhe në pyetjen lidhur me telefonin por tha se asnjëherë babai nuk i kishte thënë se për çfarë ishte biseda.

Bekim Shkodra tha se njihte pronarin e kompanisë “Tali”, Florim Zukën, ndërsa teksa u përpoq të tregonte lidhjen familjare me të (gjyshi i dëshmitarit dhe gjyshja e të akuzuarit Florim Zuka ishin vëlla e motër), përkthyesi i Gjykatës u gjend në vështirësi për të përkthyer këtë relacion familjar dhe kjo shkaktoi të qeshura.

Megjithëse pohoi se e njihte Zukën, dëshmitari u përgjigj negativisht nëse kishte njohuri për  një takim ku ishin edhe Fatmir Limaj, Adem Grabovci dhe Nexhat Krasniqi, e ku sipas prokurorit babait të dëshmitarit i ishte thënë se tenderi për rrugën Ponesh=Zhegovc do të shkonte te “Tali Kompani”,  dhe se ai mund ta merrte tenderin prej tij.

Përgjigje negative prokurori Hardaway mori edhe në pyetjen se a kishte njohuri dëshmitari se babait të tij në një takim me Adem Grabovcin e Fatmir Limajt i ishte thënë se nëse rrinte i heshtur do ta merrte tenderin për mirëmbajtjen verore të rrugëve për vitin 2009.

Dëshmitari gjithashtu duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit mohoi se e njihte të akuzuarin Nexhat Krasniqi.

Në këtë gjykim për të njëjtat vepra si Limaj akuzohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

KALLXO.com raportoi sot për mbylljen e pjesshme të seancës, për shkak se dëshmitari nuk ndihej mirë para kamerave.

http://kallxo.com/ndalohet-xhirimi-seances-se-limajt/