Gjykimi i ish-zyrtarit komunal të Pejës, Naser Kastratit - Foto: KALLXO.com

Në gjykimin për mbi 16 mijë euro, ish-zyrtari komunal ndihet ‘viktimë‘

Palët kanë dhënë fjalën përfundimtare në gjykimin e ish-zyrtarit komunal të Pejës, Naser Kastrati.

Kastrati akuzohet se në vitin 2013 si mbikëqyrës i projektit për renovimin e shkollës “Fan S. Noli” me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për operatorin ekonomik “NN Vala”, në Pejë, i ka shkaktuar dëm buxhetit të Komunës në vlerë prej 16 mijë e 305 euro.

Prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj gjatë fjalës përfundimtare tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës.

Ajo tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor në bazë të provave është vërtetuar fajësia e të akuzuarit për veprën penale – keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Fjalën e prokurores e ka mbështetur edhe përfaqësuesja e Komunës se Pejës, avokatja Drita Sopi, e cila kërkoi nga trupi gjykues ta shpallë fajtor të akuzuarin.

Në anën tjetër, Gëzim Kollçaku, avokat i të akuzuarit Naser Kastrati, gjatë fjalës së tij përfundimtare tha se i mbrojturi i tij nuk ka kryer vepër penale.

Ai tutje tha se fillimisht aprovimin e kishte dhënë ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Smajl Shala, i cili tha se kishte kërkuar nga Naser Kastrati ta nënshkruante.

Për njërin nga nënshkrimet ai tha se nuk është i klientit të tij, pasi që tha se ka dallime drastike me nënshkrimin e faturave tjera.

Kollçaku tha se trupi gjykues është dashur t’ia aprovojë kërkesat për dëgjimin në cilësinë e dëshmitarit menaxherin e Prokurimit në Komunën e Pejës, pasi që ai do shpjegonte të gjitha procedurat ligjore që duhet marrë për prokurim.

Edhe vetë i akuzuari Naser Kasrati gjatë fjalës se tij përfundimtare tha se nuk është nënshkrimi i tij në njërën nga faturat.

Gjatë kohës sa ka qenë zyrtar komunal ai tha se ka pasur mundësi të keqpërdorë shuma shumë më të mëdha të parave, por një gjë të tillë tha se nuk e kishte bërë asnjëherë.

Kurse për rastin për të cilin po akuzohet tha se ka qenë vetëm një “viktimë”.

Por pasi përfundoi seanca, njëri nga përfaqësuesit e kompanisë “NN Vala”, Osman Dinaj, që ishte pjesë e publikut gjatë seancës, u tha të pranishmëve se Naser Kastrati në ketë rast është i pafajshëm.

Ish-zyrtari i Komunës se Pejës, Naser Kastrati, akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës se më 17 shtator 2013, si person zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë së tij pasurore për operatorin ekonomik “NN Vala”, në Pejë, i ka shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Pejës në vlerë prej 16.305.00 euro.

Sipas aktakuzës,Naser Kastrati, si mbikëqyrës i projektit për renovimin e shkollës fillore “Fan S. Noli”, në fshatin Kryshevc, ku vlera e projektit ka qenë 23.400 euro, ka aprovuar punë shtesë të operatorit ”NN Vala” në vlerë prej 20.814 euro, pa tender dhe pa i përfillur dispozitat ligjore, duke nënshkruar fillimisht arsyeshmërinë për punë shtesë, e më pas ka nënshkruar edhe situacionin e punëve shtesë.

Trupi gjykues njoftoi se shpallja e aktgjykimit do bëhet të premten.