Foto: Kallxo.com

Në gjykimin e Ilir Tolajt, e akuzuara tregon si mateshin barërat që shkatërroheshin

Në gjykimin e i ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe pesë zyrtarëve të kësaj Ministrie, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e akuzuara Valentina Haxhijaj e ka dhënë mbrojtjen ndërsa në pjesën e dytë të ditës pritet që mbrojtjen ta jap edhe e akuzuara tjetër Remzije Thaçi.

Haxhijaj tha se në Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë e punësuar në pozitën e zyrtares së lartë për projekte kapitale, por që pasi kishte filluar procesi gjyqësor ndaj saj, ajo ishte suspenduar nga puna.

Ajo deklaroi se ka qenë kryesuese e komisionit i cili ka pasur për detyrë që ta mbikëqyrë procesin e asgjësimit të barërave, dhe se për këtë pozitë ajo dhe dy anëtaret e tjera të komisionit kanë qenë të propozuara nga Bekim Fusha. Shkresën tha se e ka bërë Drejtori i Prokurimit Zenel Kuqi ndërsa ishte aprovuar nga sekretari Ilir Tolaj.

“Ti akuzohesh se nuk i ke kryer punët zyrtare ashtu siç duhet dhe i keni tejkaluar ato që nuk është dashur për disa arsye. Pika e parë është që ju nuk keni përpiluar një plan të menaxhimit të kontratës, në këtë rast a ka qenë detyra juaj konkretisht. A ka qenë detyra jote të përpilosh një plan të menaxhimit?”, e pyeti të akuzuarën, mbrojtësi i saj Naser Sopjani.

E akuzuara u përgjigj se nuk ka qenë detyrë e saj përpilimi i planit të menaxhimit.

“Fillimisht kur jemi caktuar si komision i kam ftuar dy anëtaret e komisionit për të mbajtur një takim në zyre. Kur e kam mbajtur takimin, ka ardhë Zenel Kuqi dhe na i ka sjellë dy fleta të kontratës dhe një plan të menaxhimit në bazë të të cilave komisioni ka pasur për detyrë të punojë”, tha e akuzuara duke shtuar se nuk kanë pasur ndonjë detyrë tjetër të përcaktuar me shkrim por kanë qenë të detyruar të veprojnë sipas atij plani.

Në bazë të këtij plani, ajo tha se kanë pasur për detyrë që të jenë prezentë gjatë ngarkimit dhe matjes të barërave që ishte bërë në depon në Mazgit.

“Matjen e kanë bërë punëtoret e KMI-së (shkritores) ndërsa ne me qenë prezent me rastin e matjes, pastaj klasifikimin e atyre barërave dhe në fund shkatërrimin”, tha e akuzuara.

Haxhijaj tha se në KMI ka qenë një peshore e madhe në të cilin ka hipë kamioni me ngarkesë, ka zbrit shoferi e pastaj është bërë matja. Peshën e kanë shënuar në një fletore që të tri punëtoret. Pastaj tha se është zbrazur kamioni dhe prapë është bërë matja e tij pa ngarkesë, dhe vlera e peshës së kamionit pa ngarkesë i është zbritur peshës së parë.

Pas zbrazjes së kamionit, e akuzuara deklaroi se është bërë klasifikimi i atyre barërave të cilat janë ndarë secila veçmas nga ambalazhi. “tabletat, ampulat, shurupet veç e veç. Ambalazhet/letrat janë mbështjell dhe janë dërguar në riciklim kurse barërat janë shkatërruar”.

Për punën e komisionit tha se i ka raportuar rregullisht me anë të email-it Zenel Kuqit, Bekim Fushës dhe në Cc, sekretarit Ilir Tolaj. Për këto raporte tha se ka qenë i njoftuar edhe Xhevat Ukaj, Drejtor i Departamentit të Zhvillimit Strategjik.

E akuzuara duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të saj, deklaroi se ka pasur edhe raste kur ajo nuk ka qenë prezente gjatë matjes së barërave në KMI. Kjo tha se ka ndodhur për shkak të angazhimeve të shumta në punë. Përkundër faktit se nuk kishte qenë prezente gjatë matjes, ajo tha se më vonë kishte nënshkruar në fletë matje, për matjet e barërave që ishin bërë pa prezencën e saj.

“Unë i kam thirrë anëtaret e komisionit dhe ju kam thënë se sot nuk mund të jem në komision për shkak të angazhimeve, puna e transportit të barërave nuk mund të ndërpritej dhe me mirëkuptim a po shkoni ju të dyja me e bë matjen unë nënshkruaj pas juve, kanë pranuar dhe pastaj unë kam nënshkruar në zyrën time”, tha ajo.

Më pas anëtari i trupit gjykues Vesel Ismaili e pyeti të akuzuaren se a do të thotë se nënshkrimi i saj në fletë matje nënkupton se ajo ka qenë prezentë gjatë matjes, edhe pse në fakt ajo në disa raste nuk ka qenë por vetëm ka nënshkruar.

“Kanë qenë dy të tjera dhe ka qenë besimi që kam pasur te to”, u shpreh e akuzuara duke shtuar se ajo e ka vlerësuar si të rëndësishme që të jetë dikush prezent nga komisioni gjatë matjes dhe se nuk ka ndodhur asnjëherë që të bëhet asnjë matje pa prezencën e ndonjërës nga anëtaret e komisionit.

“Unë kam menduar që duhet të jetë nënshkrimi të trijave, prandaj e kam nënshkruar edhe në rastet kur nuk kam qenë e pranishme. Unë konsideroj se e kam kryer punën time në rregull”, tha ajo.

Haxhijaj deklaroi se ajo ka bërë dy raporte përfundimtare për krejt këtë proces të monitorimit. Njëri tha se ka qenë për barërat e Mazgitit e tjetri për barërat e spitaleve rajonale dhe se këtij raporti ia kanë bashkangjitur edhe matjet që i kanë bërë çdo ditë.

Në fund ajo deklaroi se gjatë punës së saj në projektin për asgjësimin e barërave pa afat, ka vepruar gjithnjë sipas planit. Ajo tha se mendon se çdo gjë ka shkuar në rregull pasi që e njëjta asnjëherë gjatë punës së saj si kryesuese e komisionit për mbikëqyrjen e asgjësimit të barërave nuk ka marrë ndonjë vërejtje në menaxhimin e punës.

Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t’i gjeni në këtë link.

Gjykimi i ish-sekretarit dhe zyrtarëve të MSh-së është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.