Shtatorja në Gjilan | Foto: KALLXO.com

Në Gjilan Protestohet Kundër Zhvendosjes së ‘Ushtarëve të Ramë’

Në Gjilan sot pasdite do të protestohet për zhvendosjen e shtatores së “Ushtarëve të Ramë” nga iniciativa qytetare “Kartoni i Kuq” dhe organizata kulturore “Varg e Vi”.

Zhvendosja e shtatores së ish-Luftës Nacional-Çlirimtare është bërë për 50 metra nga vendi ku ajo ishte më parë në kuadër të një rirregullimi të qendrës së Gjilanit aë parasheh në vendin e saj vendosjen e shtatores së Idriz Seferit, luftëtarit kosovar për pavarësi nga Perandoria Osmane.

“Ftoheni t’i bashkangjiteni protestës qytetare, këtë të shtunë me fillim nga ora 14:00, te lokacioni ku është larguar përmendorja pranë parkut të qytetit”, thuhet në njoftimin e dy organizatave.

Organizatat japin edhe arsyet pse duhet protestuar për ta kthyer në vendin e saj shtatoren e “Ushtarëve të Ramë”.

“Kjo shtatore ka identifikuar qytetin për dekada të tëra dhe është bërë pjesë e memories kolektive të gjilanasve”, thuhet më tutje në njoftimin për protestë.

Organizatta më tutje konstatojnë se “kjo shtatore ka kuptim të plotë vetëm në vendin ku ishte më herët. Gjilanasit janë mësuar ta asocojnë qendrën e qytetit me këtë shtatore të punuar bukur”.

Dy organizatat nuk janë kundër “ardhjes” së Idriz Seferit në qytet, por duan që shtatorja e tij të mos e zëvendësojë shtatoren e vjetër.

“Është e rëndësishme të kuptohet, që ne e respektojmë dhe i gëzohemi vendimit për sjelljen e skulpturës së Idriz Seferit, andaj sugjerojmë që kësaj skulpture t’i gjindet një vend meritor, e jo të jetë zëvendësuese e skulpturës së vjetër”, thuhet më tutje në njoftimin për protestë.

Dje Gazeta Jeta në Kosovë solli në një shkrim mendimet e gjilanasve për dhe kundër zhvendosjes së shtatores.