Foto-ilustrim

Në Gjilan Mungojnë 100 Ditarë Mësimorë

Edhe pse kanë kaluar një muaj e gjysmë nga fillimi i vitit shkollor në shkollat e qytetit të Gjilanit ende mungojnë ditarët mësimorë të cilët shfrytëzohen nga mësimdhënësit për vlerësimin e nxënësve, shënimin e orëve dhe mbajtjen e mungesave.

Viti shkollor 2017/2018 ka filluar me 4 shtator, por ditarët e parë sipas Drejtorisë së Arsimit në Gjilan kanë arritur më 20 shtator.

Labinotë Morina – Azemi, profesoreshë në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Asllan Elezi” në Gjilan ka thënë për KALLXO.com se gjatë kohës sa nuk e ka pasur ditarin mësimor ajo i ka shkruar mungesat e nxënësve në fletoren e saj të punës.

“Mungesat, vlerësimet për nxënësit i kam shënuar në fletore pune e pasi më ka ardhë ditari i kam bartë aty shënimet”, tha profesoresha Morina – Azemi.

Bardhyl Syla, drejtori i Arsimit në Gjilan ka thënë për KALLXO.COM se 13 shkolla në Gjilan i kanë në tërësi ditarët, ndërsa të tjerave u mungojnë prej 1 deri në 9 ditarë.

“Përafërsisht, aktualisht  mungojnë 100 ditarë”, tregoi Syla.

Disa nxënës të shkollave të mesme të Gjilanit, sikurse drejtori i arsimit thanë se disa nga ditarët në shkollat e tyre kanë ardhur nga mesi i muajit shtator, por pati edhe nxënës që treguan se shkollat e tyre i morën ditarët në fillim të tetorit, nxënës të tjerë bënë me dije se ditarët ende mungojnë në shkollat e tyre.

Nxënësit kanë shtuar se përderisa ishte fillimi i vitit shkollor mësimdhënësit e tyre nuk kanë bërë vlerësime me notë por edhe nëse e kanë bërë këtë, ata i kanë mbajtur shënim në fletoret e tyre të punës.

Drejtori i Arsimit në Gjilan ka thënë se me 16 tetor është kontaktuar operatori furnizues dhe sipas tyre gjatë kësaj jave do t’i sjellë të gjithë ditarët.

“Operatori  në bazë të kontratës, ka qenë i obliguar që me kohë 01.09.2017, t’i sjellë ditarët në të gjitha shkollat, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka përfunduar Syla.

Të shtunën KALLXO.com ka shkruar edhe për mungesën e librave bazë në shkollën “Beqir Gashi” në fshatin Mleqan të komunës së Malishevës.