Në Fjalën Përfundimtare, Ish Polici Shpreh Keqardhje për Vrasjen e Ilmi Lufajt

Vetëm tre ditë e ndajnë ish rreshterin policor Shefqet Kameraj nga vendimi i gjykatës lidhur me rastin e vrasjes së Ilmi Lufajt që ndodhi në Deçan vitin e kaluar.

Në seancën ku u dhanë fjalët përfundimtare të palëve, trupi gjykues tha se vendimi për këtë rast do të merret më 22 qershor.

Në këtë seancë, Prokurori Ardian Hajdaraj, njëjtë sikurse në aktakuzë, kërkoi nga trupi gjykues që Kamberajn ta shpallë fajtor për vrasjen.

“Në tërësi është provuar se në veprimet e të pandehurit qëndrojnë të gjitha elementet e veprës penale të vrasjes se rëndë, ashtu siç është akuzuar”, tha prokurori Hajdaraj.

http://kallxo.com/prokuroria-polici-e-vrau-ilmi-lufajn-per-hakmarrje/

Edhe Prokuroria edhe avokati mbrojtës i familjes Lufaj kërkuan nga trupi gjykues që mos ta trajtojnë si kredibile ekspertizën psikiatrike të grupit të ekspertëve, të kryer ndaj të akuzuarit Shefqet Kameraj.

http://kallxo.com/polici-e-degjova-lufajn-duke-e-share-rreshterin/

“Propozoj që kjo ekspertizë psikiatrike për gjendje të shëndetit mendor mos të aprovohet fare, ngasje kjo është përpiluar vetëm nga deklarata e të pandehurit, pa e marrë parasysh asnjë provë tjetër materiale,” tha avokati i familjes Lufaj.

Kollçaku tha se mbështet prokurorin në kualifikimin juridik që vrasja nga rreshteri Kameraj është bërë për hakmarrje ndaj Ilmi Lufajt.

Kurse, Haxhi Çekaj, avokat i të akuzuarit Kameraj, kundërshtoi cilësimin juridik të aktakuzës së prokurorisë, se vrasja është kryer për motive të hakmarrjes.

“Ekspertiza psikiatrike e të akuzuarit e siguruar në mënyrë ligjore dhe e provuar edhe verbalisht nga ana e ekspertëve të psikiatrisë si dëshmitar në procesin gjyqësor vërteton se shkaku i veprimit të akuzuarit ndaj viktimës, ishte sjellja paraprake e viktimës, e cila këtë të fundit e ka sjellë në gjendje të afektit mendor”, tha avokati Çekaj.

Ndërsa, ish-rreshteri policor, Shefqet Kameraj, tha se ndihet keq për atë që ka ndodhur dhe kërkoi falje publikisht.

I akuzuari tha së nuk pajtohet me cilësimin e prokurorisë së vrasja është kryer për motive të hakmarrjes.

“Nuk e di që përballet 4 herë me personin (për motiv të hakmarrjes), qysh jam përballë edhe unë në katërtën herë kur jam ballafaquar me të ka ndodhur rasti. Unë të kisha dashtë me vra dikon, momentin e parë kish ndodh ajo në takimin e parë te rrethi”, tha Kameraj

Ish rreshteri policor në Deçan tha se fajtor kryesor që ka ndodhur ky rast vitin e kaluar është një ish koleg i tij.