Foto: Atdhe Mulla

Në Ferizaj Koalicionet Humbin Vota, LVV-ja i Shton

Nëse krahasojmë votat preliminare të këtyre zgjedhjeve me ato të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, në Ferizaj ka ndryshime të mëdha në votë.

LVV-ja është rritur për afër 8 mijë vota, PAN-i ka rënë për mbi 5 mijë vota, e LDK-AKR ka rënë për afër 3 mijë.

Vetëvendosje ka dyfishuar votën. Nga 6 mijë  e 885 vota në 2014-ën, ky subjekt tre ditë më parë ka fituar 14 mijë e 727 vota, ose 7 mijë e 842 vota më shumë.

Koalicioni LDK-AKR në këto zgjedhje ka marrë 12 mijë e 607 vota, ndërsa në 2014-ën këto dy parti të ndara kishin mbledhur 15 mijë e 334 vota. Kthyer në diferencë, i bie 2 mijë e 727 vota më pak kësaj here.

Koalicioni PAN ka mbledhur 12 mijë e 879 vota, ndërsa në 2014 PDK-AAK e Nisma kishin fituar të ndara 18 mijë e 149 vota, ose 5 mijë e 270 më pak në zgjedhjet e 2017-ës.

Zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan më 11 qershor, u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit patën 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kishin të drejtë vote për herë të parë ishin 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë pastruar nga 33 mijë e 542 persona.

Zgjedhjet u monitoruan nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.