Në Etnofest Kërkohet Mbrojtja nga UNESCO e Valles së Rugovës

Në diskutimet për arkitekturën tradicionale dhe vallet në kuadër të Festivalit Kulturor “Etnofest” koreografi Dilaver Kryeziu duke e veçuar Kosovën për shumë vallet e saj, tha se Vallja e Rugovës duhet të mbrohet nga UNESCO-ja.

“Jemi shumë të pasur me valle. I vetmi shtet në botë qe i kemi 30 krahina me valle. Rugova është diçka unikate”, tha Kryeziu.

Vallja e Rugovës është një valle e matjes së forcave në të cilën valltarët ndeshen simbolikisht me shpata nën tingujt e tupanit.

Në vikendin përmbyllës të “Etnofestit” krahas valleve u debatua edhe për arkitekturën tradicionale.

Profesoresha e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës Florina Jerliu shpjegoi arsyet e mungesës së frymës tradicionale në arkitekurë.

“Ne nuk jemi duke u referuar në histori, identitetet rajonale po marrin referenca historike të atij vendi dhe ne nuk po e bëjmë sepse po e konsiderojmë veten një vend në tranzicion”, tha Jerliu.

Sociologu Arsim Canolli megjithatë konsideroi se duhet të ketë një balancë gjatë përfshirjes së frymës tradicionale në arkitekturë.

“Nuk ështe gjithmonë ideja tendencioze me mallëngjim të kthejmë gjithçka që ka qenë e vjetër”, tha Canolli.

Mbrëmja u mbyll me performancën e pianistes Dita Hysaj si dhe grupit të frymorëve të Filarmonisë së Kosovës “Prishtina Brass”.

“Etnofesti” nisi më 11 gusht, ndërsa do të përfundojë nesër më 3 shtator.

KALLXO.com edhe vitin e kaluar e ndodi “Etnofestin”. Shkrimet për festivalin e vitit të kaluar mund t’i lexoni këtu.