Në 14-Vjetorin e Vrasjes Kujtohet Ukë Bytyçi

Suhareka përkujtoi sot kryetarin e saj të parë të pasluftës, Ukë Bytyçin, i cili u vra një ditë pas fitores së partisë së tij, LDK, në zgjedhjet e dyta lokale.

Ukë Bytyçi, bashkë me dy përcjellësit Bafti Bytyçi dhe Bajram Bajrami, u vranë në fshatin Leshan të Suharekës derisa po festonin fitoren në zgjedhje.

Në një akademi përkujtimore në 14 vjetorin e vrasjes, Flamur Bytyçi, djali i kryetarit të ndjerë të Komunës së Suharekës, tha se vrasja e babait të tij ende nuk është zbardhur plotësisht.

“Si familje theksojmë se vrasja e Ukës nuk është zbardhur plotësisht pasi që janë dënuar vetëm dorasit. Vrasja e Ukës dhe vrasja e figurave të tjera të ndritura të Kosovës nuk janë zbuluara sepse organet e drejtësisë ende nuk e kanë dhënë fjalën e tyre duke i dënuar urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, tha Ukë Bytyçi u vra nga kundërshtarët e tij politikë, të cilët pushtetin e dëshironin me dhunë.

“Uka nuk është më në mesin tonë dhe çfarëdo tentimi për interpretim ndryshe lidhur me vrasjen e Ukës do të ishte shumë-shumë i rëndë. Uka nuk ka pasur armik personal askënd. Të vetmit armiq i ka pasur ata që mendonin se Uka është një barrierë e madhe për të kapërcyer dhe për të ardhur në pushet. Uka ka qenë i dashur, ka qenë i afërt, ka qenë madhështor. Vepra e tij ka qenë shumë e madhe dhe barrierë e rëndë për ata që kanë dashur me ardhë në pushtet shpejt dhe me dhunë”, tha kryetari Asllanaj.

Në këtë akademi përkujtimore në emër të Kryesisë së LDK-së foli Lirie Kjatazi, e cila tha se një figurë si Ukë Bytyçi edhe sot i mungon skenës politike.

“Figura shumëdimensionale e Ukë Bytyçit, e kryetarit tuaj të parë, e pishtarit të demokracisë, është një figurë e cila për çdo ditë e shohim se i mungon skenës së Kosovës”, tha Kajtazi.

Të pranishëm në akademinë përkujtimore ishin shumë qytetarë, ministra dhe deputetë nga radhët e LDK-së.