Pamje nga seanca e të hënës e gjykimit për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

Ndryshon Aktakuza në Rastin ‘Badovci’

Dhe, Gjykata e pranoi kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve në rastin “Badovci”.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja Hajdari e ndryshoi kualifikimin juridik të veprave penale.

Prokurorja tha se këtë e ka bërë konform vendimit të Gjykatës Supreme, e cila e ka kthyer rastin në rigjykim.

Për të pasur kohë për përgatitjen e mbrojtjes, avokatët kërkuan shtyrjen e seancës, kërkesë që u aprovua nga trupi gjykues, i cili vendosi që seanca e radhës të mbahet më 18 korrik.

Sipas avokatëve, neni 135 nga i cili hoqi dorë prokurorja parashihte veprën e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe zjarrvënies.

Pas seancës, avokatja Albana Kelmendi për KALLXO.com tha se prokurorja ka hequr dorë nga dy prej elementeve të akuzës që ishin deri më tani.

“Sot në fjalën përfundimtare prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës ka ndryshuar duke u tërhequr nga shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe zjarrvënia, ndërsa tani ndiqen vetëm për shkak të përgatitjes së kryerjes së veprës penale nga neni 144 lidhur me nenin 145 që parashihet parëndësia e kryerjes së veprave terroriste”, tha Kelmendi.

Avokati tjetër i këtij rasti, Asdren Hoxha thotë se pjesa nga e cila ka hequr dorë prokurorja është dispozitivi i aktakuzës.

“Si mund të argumentohet ky dispozitiv i aktakuzës nëse ne nuk kemi më qëllim të frikësimit të popullsisë apo qëllim të grumbullimit për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. E tërë teoria e akuzës e ka humbur kuptimin e vet”, tha Hoxha.

Ndërsa, avokati Bajram Tmava tha për KALLXO.com se me këtë ndryshim të aktakuzës, Prokuroria e ka përkeqësuar pozitën e vet dhe e ka përkeqësuar edhe aktakuzën si të tillë, a mund të qëndrojë apo nuk mund të qëndrojë.

Në këtë rast të akuzuar janë Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi.

Sipas aktakuzës, të pesë të akuzuarit në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

Në korrik të vitit të kaluar Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

http://kallxo.com/denohet-grupi-badovcit/

Dënimi pastaj ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

http://kallxo.com/vertetohen-denimet-e-rastit-badovci/