Ndryshimi në Ballkan Nis me Historinë

Forum ZFD, Fondacioni për Shoqëri të Hapur dhe Magazina Javore Vreme organizuan tryezën për Ballkanin si ishte, si është e si do të jetë që u drejtua nga drejtoresha e BIRN Kosovës Jeta Xharra.

Të ftuar ishin panelistë nga Kosova, Maqedonia e Serbia.

Shkëlzen Gashi, publicist nga Prishtina, tha se ka kritere të dyfishta që përdoren nga bashkësia ndërkombëtare në Ballkan. Gashi deklaroi se autonomia e serbëve në Kosovë është shumë më e madhe se ajo e shqiptarëve në Maqedoni dhe  autonomia e minoriteteve etnike në territorin e Serbisë.

Ai dha një shembull se si autonomia e serbëve në Kosovë sipas tij është më e madhja në Ballkan.

“Ndonëse janë 5-6 për qind serbë në krejt teritorin e Kosovës, gjuha serbe është gjuhë zyrtare në krejt komunat e Kosovës,” tha Gashi.

Gashi foli edhe për historinë duke e specifikuar se ajo që mësohet nëpër librat shkollorë në Serbi dhe Kosovë ndikon në mënyrën e të menduarit të të rinjve.

“Në tekstet mësimore të historisë në Serbi nuk e paraqesin asnjë krim që forcat serbe gjatë historisë e kanë kry ndaj shqiptarëve në Kosovë. Në të njëjtën kohë tekstet mësimore të historisë në Kosovë nuk e prezantojnë asnjë krim që grupe të ndryshme të armatosura të shqiptarëve kanë kry ndaj serbve civilë të pafajshëm në teritorin e Kosovës,” tha Gashi.

Sipas tij faktet nuk duhet të shtrembërohen nga asnjëra anë.

Kim Mehmeti, shkrimtar nga Maqedonia, tha se ekziston një kompleks ballkanas për të qenë të pëlqyer nga të tjerët.

Ai tha se shqiptarët duhet të dalin nga ajo bërthama dhe mendimi që të jenë të pëlqyer nga të tjerët, e të fillojnë të mendojnë më shumë se a janë të pelqyer nga njerëzit e vet.

“Ne duam të jemi të pëlqyer nga të tjerët, ne andaj nuk ndërtuam edhe shtet që na pelqen neve,”  tha ai.

Milena Bogavac, shkrimtare dhe dramaturge nga Beogradi, tha se nuk duhet të kërkohet drejtësi historike, por të shihet drejt një zgjidhjeje të problemeve.

“Kur mësohet gjithmonë se si shqiptarët janë të këqinj do t’u krijohet të rinjve kjo bindje, por kur krijohen raporte, lexohen libra, shihen shfaqje, hidhen poshtë pretendimet e politikanëve,” tha ajo.

Zoran Ristiq, drejtor i Teatrit të Graçanicës tha se serbët dhe shqiptarët kanë shumë dallime, aq sa kanë edhe ngjashmëri.

“Duam të shkojmë në BE dhe ende flasim për konfliktet tona,” tha ai.

Ristiq tha se ekziston një perceptim se kur serbët janë keq, shqiptarët janë mirë dhe e kundërta.

Diskutimi u vazhdua, por panelistët serbë pasi që u prekën raportet dhe historia në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tyre, ata erdhën të flasin për Ballkanin, e jo për problemet politike e historike në mes të dy shteteve.

Moderatorja Jeta Xharra paralajmëroi pikëtakime të tjera në Shkup, Podgoricë e Beograd, si ky i sotmi në Prishtinë.