Reshjet e shiut të mirëseardhura për misrin e pemët por jo për vreshtat

Ndryshimi i Motit i Dëmshëm për Disa Kultura

Ndryshimet e mëdha të motit në javët e fundit kanë pasur efekte pozitive dhe negative në bujqësi.

Përderisa reshjet e shiut të para disa ditëve dhe ulja e temperaturave ishin të mirëseardhura për misrin dhe pemët, ky mot u shkaktoi telashe vreshtarëve dhe bletarëve.

Shkëlzen Dragaj, zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë, në një prononcim për KALLXO.com tha se ka pasur disa ankesa nga ana e bletarëve dhe vreshtarëve.

“Për bletë për shembull ka pasur ankesa për shkak të shiut dhe kohës së ftohtë, i cili ka ndikuar te bletët mirëpo nuk ka pasur ndikim shumë të madh. Ndikimi është vërejtur edhe tek disa vreshta në Rahovec dhe Suharekë”, tha ai për KALLXO.com.

Dragaj tha se moti me shi e me temperatura të ulëta çfarë ishte para dy javësh kjo ka ndikuar pozitivisht te misri dhe pemët, të cilat kanë nevojë për sasi më të madhe të ujit.

Ndërsa, duke folur për ndryshimet klimatike në përgjithësi, eksperti i bujqësisë, Imer Rusinofci, tha për KALLXO.com se ndërrimet klimatike kanë ndikuar në sasi por edhe cilësi të prodhimeve bujqësore.

“Këtë vit sondazhet të cilat i realizojmë ne në terren na japin rezultate më reduktuese të kulturave pranverore dhe që tani janë në vlugun e vegjetacionit, siç është misri”, tha ai.

Kurse sa i përket grurit ai tha se ndërrimet klimatike kanë ndikuar në rritje të sasisë por rënie të cilësisë.

“Pavarësisht sasisë së prodhimit që është realizuar, misri ka mbetur dukshëm i mangët sa i përket vlerës redimentuese. Kemi të bëjmë me sasi prodhimi të kënaqshëm në krahasim me vitin e kaluar po jo me cilësi të saj”, tha Rusinofci.

Sipas tij është e vërtetë që rezultatet kanë dalë të mangëta në fushën vreshtarisë dhe fushën e prodhimit të mjaltit dhe prandaj Ministria duhet që të ndajë prioritetet e saj.

“Ministria duhet që t’i shkoqisë disa prioritete dhe zona të caktuara duhet që t’i favorizojë për prodhime të caktuara. Ka dy në mënyrë që rezultati të jetë më i mirë së i vitit të kaluar, kjo mund të bëhet përmes stimulimit të drejtpërdrejt ose përmes kamatave përmes bankave”, tha ai.