Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ndryshimet e Propozuara në Kodin Penal, Kopje e Ligjit Gjerman

Me këtë projektligj qytetarët e Kosovës apo kushdo që fyen apo dëmton simbolet shtetërore dhe shpif ndaj organeve kushtetuese të shtetit, përfshirë Presidentin e Republikës, kryen vepër penale rrezikon të ndiqet penalisht dhe të dënohet me burg deri në pesë vjet.

Disa nga nenet e propozuara përfshijnë dënim me burg deri në 3 vjet apo gjobë për shpifje ndaj shtetit dhe simboleve shtetërore.

Gjithashtu, vepër penale e dënueshme me 3 muaj deri në 5 vjet burgim parashihet të jetë shpifja ndaj organeve kushtetuese, që nënkupton shpifje ndaj Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, apo Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Këto ndryshime kanë shkaktuar reagime të shumta te shoqëria civile dhe disa deputetë opozitarë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku përmes një postimi në “Facebook” ka bërë thirrje për reagim ndaj këtyre ndryshimeve që ajo i quan me “tipare diktatoriale”.

“Juve qe reagoni kur ne vendet e tjera ndodhin ndryshime me tipare diktatoriale, shpresoj qe ju sherbejne te njejtat syze/lente me pa si per larg edhe per afer”, ka shkruar ajo.

Nenet 134/C dhe 134/D të Projektligjit për ndryshimin e Kodit Penal  të    Republikës së Kosovës janë kryekëput të njëjta me nenet 90a dhe 90b të Kodit Penal të Republikës Federale të Gjermanisë.

Megjithatë, lajm i mirë për personat që deri më tani kanë bërë fyerje apo shpifje publike ndaj Presidentit, organeve kushtetuese dhe simboleve shtetërore është se Prokuroria e Shtetit nuk mund të bëjë ndjekje penale në mënyrë retroaktive.

Këtu mund ta lexoni Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Penal te Republikës së Kosovës (1)