Prishtina e Parashikon të Vështirë Sfidën me Norrkoping

Synojnë ta përfaqësojnë Kosovën denjësisht

FC Prishtina aventurën e parë në Ligën e Evropës do ta nis kundër Norrkoping nga Suedia.

Kjo skuadër është një nga më të forta në futbollin suedez dhe për prishtinasit, kjo sfidë vlerësohet tejet e vështirë, por jo edhe mision i pamundur.

Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaçi ka thënë se përballja me Norrkoping, është një nga kundërshtarët më të vështirë në këtë rreth të garave.

Megjithatë, tekniku i kryeqytetasve, thotë se skuadra e tij do të përgatitet sa më mirë si dhe do analizojë në detaje skuadrën suedeze në mënyrë që Prishtina të ketë paraqitje sa më të mirë në ndeshjen e parë në Ligën e Evropës.

“Normal sipas analizave që u kemi bërë ekipeve të mundshme që kanë më i ra Prishtinës, ne kemi analizuar se është një nga ekipet më të forta. Megjithatë sido që të jetë ky është short dhe është kënaqësi e veçantë edhe për mua si trajner, por edhe për ekipin që jemi pjesë e Ligës së Evropës, dhe normal që duhet të përgatitemi kundër këtij ekipi, i cili është shumë i fortë, por edhe ne kemi lojtarë që kanë luajtur në ato nivele. Normal këto ekipe nuk e njohin Prishtinën dhe futbollin e Kosovës, besojë në atë aspekt dhe kjo mund të jetë një nga arsyet që të përfitojmë ne në këtë drejtim. Nëse e analizojmë cilësinë e këtij ekipi të Suedisë dhe ne si klub, atëherë normal përparësi është te ekipi suedez”, tha Thaçi.

Ballafaqimin me Norrkoping të vështirë e mendon edhe mesfushori i Prishtinës, Debatik Curri, i cili më parë ka bërë karrierë edhe në arenën ndërkombëtare. Ai i tha se kjo skuadër është ekip më i fortë që ka mundur t’i bije Prishtinës. Megjithatë, Curri beson se Prishtina do të përfaqësojë vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Të them të drejtën prej këtyre ekipeve që kanë pretenduar është ekipi më i fortë që na ka ra. Është një ekip shumë i fortë e cila e ka vendin e dytë-tretë në kampionatin suedez, por do të përgatitemi sa më mirë që të përfaqësojmë sa më mirë Prishtinën, Kosovën, dhe besoj se nuk do të dorëzohemi para kohë. Është hera e parë që marrim pjesë dhe e vështirë për disa lojtarë, për disa kemi luajtur edhe më herët më skuadra edhe më të forta, por do të përgatitemi, do të fillojmë nga sot të përgatitemi për pikat e forta dhe të dobëta të asaj ekipe dhe trajneri do ta përgatite në mënyrën më të mirë për të përfaqësuar”, ka theksuar Curri.

Sfidë të jetë të vështirë duelin me Norrkoping e parashikon edhe kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe Vorskla Ukrainë, thotë se nuk ka dëshiruar të ndeshet me skuadrat skandinave, sepse sipas tij, skuadrat skandinave kanë stil tjetër të lojës në krahasim me futbollin ballkanas. Dallku tha se Prishtina do të mobilizohet maksimalisht që të ketë paraqitje dinjitoze kundër Norrkoping.

“Të them të drejtën kundërshtari më i vështirë për mendimin tim, personalisht kam qenë idhtar i asaj që të mos ndeshem me ekipet skandinave, por ky është shorti, ky është fati ynë, duhet të ballafaqohemi sepse ata kanë një stil të lojës më ndryshe nga ekipet e Ballkanit ky jemi ne, bëjnë presion të madhe, më vrapime të shpejta gjatë ndeshjes, por ky është realiteti, duhet të përgatitemi këtyre ditëve sa më mirë dhe të paraqitemi sa më mirë. Besimi është i plot te të gjithët, nga kryesia, nga trajneri, nga lojtarët, mirëpo tash duhet të mbledhim informacione shtesë së ku janë pikat e dobëta dhe të forta të atyre, besoj se ndeshjen e parë do ta luajmë në shtëpi, që ta marrim një rezultat pozitive në ndeshjen e parë në shtëpi, dhe të shkojmë më lehtë në ndeshjen e dytë atje”, ka pohuar Dallku.

Ndeshja e parë mes Prishtinës dhe Norrkoping luhet me 29 qershor, sipas të gjitha gjasave në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, kurse, ndeshja e kthimit luhet një javë më vonë në Suedi./21 Media