Nesër Koncerti me Tupanë, “ Albanian 80’s Drum Show”

Hyrja për të gjithë do të jetë pa pagesë

Për të katërtën herë me radhë organizohet koncerti me tupanë apo që në gjuhën e rok muzikës njihet si bateritë, nga shkolla “Toni Drum Studio”.

Profesori i tupanëve njëherësh organizator i koncertit, Faton Aliu dhe udhëheqësi i bendit, Rinor Ukimeri ishin të ftuar në emisionin “Bon Bon” të RTV21, ku shpalosën detaje rreth koncertit në të cilin këtë vit do të luhet muzika shqiptare e viteve të 80-ta.

Aliu tregoi se ideja për të realizuar këtë koncert i erdhi nga studentët e tij.

“Në vitet e kaluara ka pas vetëm në gjuhën angleze, botërore hite edhe t’u e parë pak situatën këtu në Kosovë që çdo i pari apo dyti thonë se na nuk jemi kërkun, dua me ikë prej këtuhit se na nuk kemi muzikë, kom dashtë me ju tregua studentëve të mijë që ne dikur kemi pasur muzikë shumë të mirë”, tha Aliu.

Ai tregoi se grupet që janë përzgjedhur që këngët e tyre të interpretohen në koncert janë, Fisnikët, 403, Gjurmët, Manifest, TnT, Ilirët, e shumë të tjerë, shkruan rtv21.tv

Nga ana e tij, Ukimeri tregoi se kur është marrë materiali për t’u përpunuar, kanë parë që atë kohë rok muzika shqiptare ka qenë, siç thotë ai më avangarde për trendin që ka qenë edhe në botë.

“Për dallim nga të gjitha paraqitjet e tjera, ku bateristat janë zakonisht mbrapa, pasi seksioni ritmik shkon mbrapa, këtë herë bateristat janë në front, e gjithë vëmendja është tek bateristat dhe ne bendi jemi në dispozicion të tyre”, tha Ukimeri.

Gjatë bisedës në studio, të ftuarit theksuan se në Kosovë vitet e fundit po ka mungesë të bateristëve në tregun e ‘live-it’.

Ndryshe, “Albania 80’s drum show” do të mbahet nesër me fillim nga ora 18:00 në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Hyrja për të gjithë do të jetë pa pagesë./21Media