Era Istrefi. Foto: Facebook

Era Istrefi këndon në Moskë për Kupën e Botës

Pop-këngëtarja kosovare, Era Istrefi, do ta këndojë këngën e Kupës së Botës në futboll në kryeqytetin rus, Moskë, bashkë me dy artistët amerikanë, këngëtarin Nicy Jam dhe aktorin e reperin Will Smith.

Lajmin e ka bërë të ditur revista online amerikane Billboard.com.

Përveç kësaj reviste, edhe “W Radio” dhe gazeta online “Vibe” e kanë raportuar këtë lajm.

Sipas revistës amerikane himni i ardhshëm i kupës së botës është ende i pa-publikuar.

“Sipas një interviste të menaxherit të Nicky Jam, Juan Diego Medina, e transmetuar në W Radio, Nicy Jam dhe Smith ishin në Budapest për t’ia dhënë dorën e fundit këngës e cila pritet të dalë këtë të premte”, shkruan ndër të tjera revista Billboard.

Istrefi është aktualisht njëra ndër këngëtaret më të njohura kosovare. Fama e saj nëpër botë ka ardhur pas publikimit të këngës “Bon bon”.

Kampionati Botëror në futboll “Rusia 2018” fillon më 14 qershor dhe mbyllet më 15 korrik.