Portreti i Adem Jasharit i bërë nga gëzhojat e plumbave - Foto: Rtv21

Adem Jashari me Gëzhoja Plumbash

Për ta nderuar veprimtarinë e heroit legjendar Adem Jasharit, artisti nga Drenasi, Besart Gashi, ka realizuar një portret madhështor dhe unik.

Komandanti Adem Jashari erdhi me portrete nga më të ndryshmet si në letër, pëlhurë e gurë por më 28 nëntor të këtij viti erdhi në jetë me një portret i cili ka një teknikë të veçantë, pra me gëzhoja plumbash.

Artisti Besart Gashi në një intervistë për portalin rtv21.tv tha se ky portret është realizuar me mbi 5 mijë gëzhoja plumbash dhe me shumë përkushtim arriti ta përfundojë në një periudhë prej dhjetë ditësh.

Sipas Gashit ky mozaik i mrekullueshëm i punuar me shumë delikatesë është i veçantë për arsye se është i vetmi që e punon këtë lloj arti në vend dhe më gjerë.

Të jesh artist do të thotë t’i praktikosh mirë teknikat që të nevojiten për të krijuar një vepër, por të kesh ide origjinale është madhështore.

“Ideja që ta punoj me gëzhoja plumbash portretin e Adem Jasharit më erdh sepse është diçka e veçantë dhe shumë domethënëse për ata që e kuptojnë, vet Legjendari Adem Jashari u vra duke luftuar ballë për ballë me armikun shekullor për ata edhe më lindi ideja që të punoj një portret të tillë me gëzhoja plumbash”, tregoi Besarti për rtv21.tv.

E kur bëhet fjalë për kaq shumë gëzhoja plumbash do të pyesni se si i siguroi gjithë ato.

Gjatë intervistës ai tregoi se është furnizuar nga poligoni “16 Qershori” në Malishevë.

Artisti Besart Gashi përveç kësaj teknike arti njihet edhe për një teknikë tjetër po aq të veçantë, ai punon vepra të ndryshme edhe nga druri.

Besarti me këtë profesion merret që 3 vjet por, shpejt u bë i njohur për origjinalitetin e tij, shkruan rtv21.tv.

Për portalin rtv21.tv artisti nga Drenasi zbuloi se projekti i radhës do të jetë diçka shumë i veçantë. “Do të jetë një vepër shumë e madhe dhe mendoj që me realizimin e atij projekti do t’i tregoj edhe botës që Kosova ka artistë që e njohin dhe e duan artin më të vërtetë dhe çdo herë do të mundohem që të bëj befasi në art dhe në vend”, u shpreh Gashi. /21Media