Foto: RTV 21

104 Vjeçja Përdor Telefon të Mençur

104 vjet mbi supet e saj, por ajo di të menaxhojë me celularin e saj smart, ndërsa memoria e saj është sikur e një të riu.

Xhezide Alija është nga Stançiçi, ndërsa ka ardhur në vizitë te familja e saj në Kumanovë.

Të gjithë habiten se si është e mundur një person që ka kaluar një shekull është ende në formë kaq të mirë.

Lokja Xhezide tha që ka punuar vazhdimisht, është ushqyer me bukë misri dhe qumësht dhensh.

“Nuk e di nga më ka ardhur. Dijen po, mendjen po, sytë po, këmbët po. E kam nderuar secilin sikur vëlla. Unë më së pari kam ngrënë bukë misri dhe kam pirë qumësht të dhive dhe të dhenve. Kam ngrënë bukë misri pa nda. Pastaj patate, qepë, lakra e kështu”, tha Xhezide Alija.

Lokja pohon se tani kjo kohë është më e mirë, mirëpo ajo çka nuk i pëlqen janë veshjet e nuseve të reja.

Ajo thotë se gratë duhet dalluar nga burrat.

Tani po veshin fustane të ndryshme, modele të ndryshme. A po ju pëlqejnë juve këto fustanet e reja?

“Jo, por çfarë të bëjmë. Vajza-vajzë, gruaja-grua, burri-burrë, duhet të dihen. Tani nuk dihen, as a është vajzë, a është nuse, a është burrë, ia kthen fjalën, po nejse se këta për vete e kanë”, u përgjigj Lokja Xhezide.

Porosia e gjyshes është që familjarët të mbahen mes vete, mos të ftohen njerëzit nga lidhjet farefisnore, të duhen dhe të respektohen.

“Të duheni ndërmjet veti së pari, të respektojë secili gjakun e vet dhe kontribuoni dhe mbani robërit tuaj”, porosia e gjyshes për të rinjtë.

Loken nga Stançiçi, në Kumanovë me gëzim shumë të madh dhe dashuri, e ka pritur djali i xhaxhait të saj, i cili ka 80 vjet. Ajo ka pritur dhe ka kaluar 4 luftëra.

Xhezide Alija ka 60 pasardhës, 5 fëmijë, nipër, stërnipër e stërmbesa e më i vogli nga ta është 4 vjeç./21Media