Pamje nga gjykimi i Meriton Aliut, i akuzuar për vrasje - Foto: KALLXO.com

Ndihet i Pafajshëm për Vrasjen që Rrodhi nga një Mosmarrëveshje e Mëhershme

Sipas aktakuzës,  Meriton Aliu më 18 gusht 2016 , rreth orës 18:00, në hyrje të banesës kolektive në rr. “Rexhep Bislimi “, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tashmë të ndjerin Samir Rexhepi dukë shtënë në drejtim të tij me revole.

I pandehuri sipas aktakuzës ishte duke qëndruar para marketit “Vjosa” me disa shokë të tij kur rastësisht kalon tashmë i ndjeri. Aty fillojnë të bisedojnë për një mosmarrëveshje të mëhershme dhe më pas ndahen nga shokët duke shkuar në drejtim të parkut “Kemajl Hetemi“.

Gjithmonë sipas aktakuzës, ata më pastaj marrin rrugën për t’u kthyer te shokët mirëpo disa metra pa arritur aty kthehen në drejtim të banesës kolektive, hynë në korridor dhe gjatë bisedës situata tensionohet ku më pas i pandehuri nxjerr revolen dhe shtien dy herë në drejtim të të ndjerit Samir duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

I ndjeri duke mos mundur t’u përballojë plagëve ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Prokurori I rastit, Arben Ismaili, tha se gjatë zhvillimit të hetimeve dhe grumbullimit të provave materiale konsideron se ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe duke u nisur nga  faktet dhe provat e nxjerra në mënyrë të ligjshme si dhe duke ftuar dëshmitarët e propozuar, Gjykata do t’i vërtetojë pikat e ngritura sipas dispozitivit të aktakuzës.

Ndërsa avokati mbrojtës, Avni Ibrahimi, tha se mbrojtja gjatë ecurisë së shqyrtimeve gjyqësore do të prezantojë rrethanat e argumentuara nga të  cilat do të rezultojë se në ngjarjen penale që është objekt i akuzës së Prokurorisë kanë ekzistuar rrethanat dhe faktet nga të cilat i akuzuari ka vepruar dhe që i referohet frikës, shqetësimit dhe tronditjes së tij të fortë në momentin kur ka vepruar.

Në këtë shqyrtim gjyqësor munguan përfaqësuesja e palës së dëmtuar dhe dëshmitarët e thirrur Agron e Driton Montilla dhe Fatjon Shala .

Gjykimi ndaj të akuzuarit Meriton Aliu do të vazhdojë më 20 korrik.