Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Ndërpritet Seanca në Gjykimin për Shpërthimin e Bombolave të Gazit

Këtë herë për shkak se Muhamet Prapashtica, njëri ndër të akuzuarit për këtë rast, u largua nga Gjykata me arsyetimin se nuk ndjehej mirë.

Prapashtica  me fillim të seancës gjyqësore i tha trupit gjykues se ai ishte kërcënuar nga familjaret e të dëmtuarve para fillimit të seancës gjyqësore, gjë për të cilën kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti e këshilloi që për këtë çështje t’i drejtohej Prokurorisë pasi që kjo ka ndodhur jashtë seancës gjyqësore.

Në ndërkohë pas një pauze të shkurtër derisa trupi gjykues ishte jashtë shqyrtimit gjyqësor duke pritur që të plotësohen kushtet për mbajtjen e seancës avokati Armend Krasniqi dhe i mbrojturi i tij Muhamet Prapashtica i kanë thënë avokat Ramë Gashit që t’ia përcjellë trupit gjykues porosinë që i akuzuari Muhamet Prapashtica nuk ndjehet mirë me shëndet dhe se avokati Armend Krasniqi duhet ta dërgojë në Emergjencë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, një bombolë gazi e cila shpërtheu më 15 mars 2008 në Prishtinë gjatë furnizimit të pompës së derivateve të kompanisë “M-Gas Petrol” nga një autocisternë e firmës “P Gas”, shkaktoi vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimin e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Aylew-it.

Lidhur me këtë shpërthim, Muhamet Prapashtica pronar i “M Gas Petrol” dhe Besnik Sadiku pronar i “P-Gas” po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ndërsa Faton Canolli akuzohet se pa kontratë pune ka ushtruar veprimtarinë e shitjes së gazit si shofer.

Lidhur me këtë shpërthim, akuzohen edhe Ahmet Frangu si kryeinspektor dhe Nafije Osmani si inspektore tregu. Ata dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare duke lejuar kompanitë e sipërpërmendura të ushtrojnë veprimtarinë e tyre pa leje.

Të pandehurit Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani akuzohen se kanë kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit.

Sipas aktakuzës, Frangu në cilësinë e shefit të Inspeksionit të Tregut në Komunën e Prishtinës ka shpërdoruar detyrën duke ia mundësuar firmës “M Gas Petrol“ të përfitojë dobi pasurore duke e lejuar të ushtrojë veprimtarinë e saj pa leje valide.

Për arsye të njëjta akuzohet edhe Nafije Osmani, e cila në cilësinë e inspektores të tregut duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ka lejuar kompaninë “P Gas“ të përfitojë pasuri në mënyrë të kundërligjshme duke ushtruar veprimtarinë e saj pa leje valide.

Gjatë kësaj seance pritej që të vazhdohej me marrjen në pyetje të të akuzuarit Besnik Sadiku.

Seanca e radhës rreth këtij rasti pritet të mbahet javën e ardhshme.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.

http://kallxo.com/per-shperthimin-tragjik-te-bombolave-te-gazit-deshmon-akuzuari/