Ndërpritet Seanca Ndaj Murat Mehës

Është ndërprerë seanca ndaj Murat Mehës dhe dy zyrtarëve kadastralë, pasi mbrojtja është ankuar se nuk është pajisur me shkresat e lëndës.

Pasi Ibrahim Dobruna, avokati i Murat Mehës tha në gjykatë se nuk i janë dhënë të gjitha shkresat e lëndës, seanca ndaj Mehës, Ismet Kryeziut dhe Nemanja spasiqit u ndërpre.

NDËRLIDHUR

Edhe i akuzuari Ismet Kryeziu tha se nuk është pajisur me shkresat e lëndës.

Gjyqtari Shashivar Hoti i dha afat prej 10 ditësh prokurorit Kujtim Munishi per ta pajisur mbrojtjen me shkresat e lëndës.

Seanca u shty për datën 29 maj.

Seanca fillestare e këtij gjykimi ishte paraparë të zhvillohej më 25 prill, por atë ditë Murat Meha e kishte njoftuar gjykatën se ndodhej në një udhëtim zyrtar në Holandë.

Murat Meha në Holandë-Shtyhet Gjykimi i tij

Sipas aktakuzës, Meha në cilësinë e kryeshefit të përgjithshëm të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu si drejtor i Drejtoratit Ligjor në këtë agjenci e kanë penguar të dëmtuarën ShPK “Marigona Residence” në ushtrimin e veprimtarisë së saj, duke e vënë në pozitë të pabarabartë në raport me ligjin e zbatueshëm.

Aktakuza sqaron se Meha e Kryeziu nuk e lejuan “ShPK “Marigona Residence” që sipas ligjit ta regjistrojë të drejtën e bartjes së pronësisë në regjistrin kadastral.

Prokuroria pretendon se Murat Meha e Ismet Kryeziu moslejimin e regjistrimit të bartjes së pronësisë e kishin bërë duke e obliguar të pandehurin Nemanja Spasiq, shefin e Zyrës Kadastrale në Graçanicë që të veprojë në bazë të një mendimi profesional të datës 21 janar të vitit 2015.

Ky mendim, që në aktakuzë konsiderohet i nxjerrë në kundërshtim me ligjin, sipas aktakuzës, ia ka cenuar të dëmtuarës “Marigona Residence” barazinë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

17 Maj 2017 - 10:09

Labinot Leposhtica 17/05/2017 - 10:09
NDËRVEPRIMI0