Ndërpritet Seanca Fillestare në Gjyqin për Nxitje të Urrejtjes

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur spontanisht para Gjykatës në Deçan për të protestuar kundër gjykimit të Asim Cenajt, zyrtar komunal, i akuzuar për nxitje të urrejtjes ndaj komunitetit serb.

“Kjo është një protestë spontane e qytetarëve por që kjo realisht reflekton revoltën e çdo qytetari të Deçanit që ka të bëjë në mbështetje të një të drejte njerëzore që njeriu ka të drejtë që të kërkojë të dijë për fatin e familjarit të tij të zhdukur”, tha Agron Berisha, një qytetar i Deçanit.

Agron Berisha paralajmëroi protesta masive ne rast së Asim Cenaj vazhdon të ndiqet me këtë aktakuzë nga institucionet e drejtësisë.

Kurse salla ku po mbahej seanca fillestare ishte e stërmbushur me qytetarë.

Në fillim të seancës, Kujtim Kërveshi, avokat i të akuzuarit, u ankua se Prokuroria nuk ia ka ofruar provat të përkthyera në gjuhën që klienti i tij e kupton.

“Katër provat të cilat prokuroria i ka ofruar në dy gjuhë të huaja për klientin tim, njëra nga to nuk është gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës dhe duhet të përkthehet detyrimisht. Po këto prova i nderuari gjyqtar para kësaj duhet përkthehen,” tha ai.

Mospërkthimi i këtyre provave nuk përmbush obligimet ligjore që të lexohet aktakuza nga prokurori dhe të vazhdohet me seancën fillestare, tha avokati i të akuzuarit. Për këtë çështje ai tha se përmes shkresës zyrtare ka njoftuar prokurorin dhe Gjykatën.

“Kam njoftuar së Prokuroria nuk ka përmbushur obligimet sipas kodit, në kuptim të ofrimit të provave në gjuhën që pala e kupton”, tha Kërveshi.

Ndërsa, prokurori i rastit, Muharrem Bajraktari, tha se mungesa e një përkthyesi në institucionin prej nga vjen ka bërë që disa prova të mos përkthehen.

“Duke qenë se nuk kemi përkthyes për këto gjuhë në kuadër të prokurorisë, çdo kërkesë e tillë duhet t’i drejtohet përkthyesve të licencuar nga gjykata. Kështu që një kërkesë e tillë ndoshta është në veprim ose nëse nuk është që sot e fillojmë për ta realizuar”, tha prokurori.

Kurse, gjyqtari i rastit, Sulltan Dobraj. tha se deri më tani asnjë kërkesë për përkthimin e këtyre provave nuk ka ardhur nga Prokuroria në Gjykatë.

Kështu që, gjyqtari mori vendim që seanca fillestare të ndërpritet dhe e njëjta të vazhdojë më 26 prill.

Gjyqtari Dobraj tha se prokurori i shtetit obligohet që në afat prej 14 ditësh t’i përkthejë provat nga gjuha angleze dhe serbe në gjuhën që i kupton i akuzuari.

Pas seancës, i akuzuari Asim Cenaj, tha së çështja e personave të pagjetur po lejohet të përdoret për lojëra dhe politika të Serbisë.

Për ketë bashkëfajtorë i bëri edhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Kurse, për mbështetjen që iu dha sot nga dhjetëra qytetarë, Cenaj tha se herën tjetër do vijnë qindra të tjerë.

“Me të vërtetë kam marrë shumë mesazhe, shumë komente nga familjarët e personave të pagjetur, janë shumë të prekur me ketë rast dhe sot kanë qenë pak, në seanca tjera ka paralajmërime se do ketë me qindra”, theksoi ai.

Për shkak të pranisë së madhe të qytetarëve gjatë seancës së sotme, gjyqtari i rastit, Sulltan Dobraj, paralajmëroi se seancën e radhës do të shikohet mundësia e vendosjes në ndonjë sallë tjetër.

Prokuroria Themelore e Pejës më 9 mars njoftoi se ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” ndaj zyrtarit komunal Asim Cenaj, i cili akuzohet se ketë vepër e kishte kryer me 1 dhjetor në sallën e Asamblesë Komunale të Deçanit gjatë një takimi me komunitetin serb dhe malazez.

http://kallxo.com/arsim-cenaj-mohon-se-nxiti-urrejtje/

KALLXO.com kishte raportuar edhe për protestën e mbajtur para Stacionit Policor në Deçan nga zyrtarët e Komunës një ditë pas arrestimit të Asim Cenajt.

http://kallxo.com/proteste-dhe-sqarim-per-ndalimin-e-asim-cenajt/