Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli - Foto: Facebook

Ndërpritet Seanca e Jashtëzakonshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ndërprerë seancën e jashtëzakonshme me kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit.

Ky i fundit kërkoi nga kryekuvendari që seanca e sotme të ndërpritet dhe të vazhdohet të martën.

Ai propozoi një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit për sot për të vendosur për vazhdimin e seancës së sotme.

Kërkesa për ndërprerjen e seancës është miratuar nga kreu i Kuvendit.

Në seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga opozita, VV, LDK e Alternativa, është diskutuar për parimet programore të Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Askush nga kabineti qeveritar nuk ishte në këtë seancë sikur edhe nga partitë e koalicionit në pushtet, me përjashtim të kryetarit të Kuvendit si dhe deputetit të Nismës, Milaim Zeka, i cili për shkak të fjalorit të përdorur në seancë u përjashtua nga seanca nga kryetari Veseli.

Vendimi për seancën e jashtëzakonshme u mor nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e cila e shqyrtoi kërkesën e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

Vetëvendosje dhe LDK kërkuan dje që një mbledhje e jashtëzakonshme të mbahet sot në ora 12:00, për shkak të mungesës së debatit në seancën e 9 shtatorit lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë seancës së djeshme, tashmë kryeministri Ramush Haradinaj në fillim të mbledhjes ku do të votohej Qeveria e drejtuar prej tij, tha se ka përgatitur vetëm disa orientime programore, duke premtuar se “në të ardhmen do të përgatitet një program qeveritar”.

Ndryshe, Ramush Haradinaj është zgjedhur dje kryeministër i Kosovës.

Qeveria e drejtuar prej tij mori 61 vota për dhe një abstenoi.

Në momentin e votimit, deputetët e Vetëvendosjes, të LDK-së dhe Alternativës e kanë lëshuar sallën.

http://kallxo.com/kalon-ne-kuvend-qeveria-haradinaj/