Ndërprerësi i Punimeve Ankohet për Kanalin e Gogës

Imer Bajrami që kishte ndërprerë për një vit punimet në kanalin e Gogës në Gurrakoc të Istogut, tash ankohet se ky kanal në pronën e tij nuk është funksional.

Bajrami është ankuar në KALLXO.com se nuk po mundet të ujisë 70 arët e tokës së tij, pasi sipas tij kanali në pronën që posedon është më i ngushtë dhe më i cekët.

“Prej Istogut e deri para pronës time është 1 metër e 20 centimetër anët e jashtme i gjerë,90 cm është brenda, thellë është 90cm, po ka edhe 80,85 cm. Të prona ime niset në 55cm deri në 60cm thellë edhe gjon mundet me qenë qaty dikun ka 75cm e vende-vende edhe 80cm”, tha Bajrami.

Bajrami konstaton se për ta përdorur ujin nga kanali, duhet atë ta thellojë dhe ta zgjerojë me mjete të tij, duke e cilësuar të kushtueshme këtë gjë.

Por Zyra e Informimit të Komunës së Istogut tha për KALLXO.com se kanali është ndërtuar sipas projektit.

“Projekti betonimi i kanalit të Gogës është kryer në bazë të paramasës dhe parallogarisë sipas projektit detal dhe askund nuk ka tkurrje të projektit”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Istogut.

Kanali pas betonimit është pronë e Kompanisë së Ujësjellësit rajonal “Drini i Bardhë”.

Bedri Haxhiaj drejtor i ujësjellësit “Drini i Bardhë” tha se për projektimin e betonimit të kanalit të Gogës kompania nuk ka pranuar ndonjë ankesë.

Komuna fajëson Imer Bajramin se ka qenë pengesë për betonimin e këtij kanali.

“Mirëpo pengesë në realizimin e projektit ka qene z. Imer Bajramaj,ku për shkak të pengesave projekti ka vazhduar jashtë Lagjes Bajramaj ku janë përfunduar të gjitha punimet sipas projektit me  gjatësi të kanalit, kalesa dhe presa”, sqaron Zyra për Informim e komunës.

Bedri Haxhiaj nga “Drini i Bardhë” e pranon se kontesti me Imer Bajramin nuk është zgjidhur.

“Ne si kompani  kemi bërë kërkesë  në Drejtorinë e Gjeodezisë në Komunën e Istogut për definimin e pronës dhe caktimin e pikave të kanalit. Deri me tani s’kemi marrë përgjigje”, tha drejtori Haxhiaj.

Imer Bajrami deklaroi se nëse nuk zgjidhet ky kontest, vitin e ardhshëm nuk do të lejojë ujin e kanalit të kalojë nëpër oborrin e shtëpisë së tij.

KALLXO.com kishte shkruar në qershor se Bajrami kishte ndërprerë për një vit punimet në kanal me arsyetimin se ai po ia dëmton pronën.