Nga shpërthimi i mëhershëm në oborrin e RTK-së | Foto: KALLXO.com

Ndërkombëtarët Dënojnë Sulmin ndaj RTK-së

Duke dënuar sulmin Zyra e BE-së dhe përfaqësuesi special i saj konsiderojnë se televizioni publik është themeluar për qytetarët.

“BE-ja në Kosovë dënon sulmin e mbrëmshëm në RTK.  RTK-ja është institucion kombëtar i rëndësishëm, i themeluar nga qytetarët e Kosovës dhe i themeluar për qytetarët e Kosovës. Një sulm mbi të është kërcënim ndaj lirisë së shprehjes dhe interesave të qytetarëve të Kosovës.

Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së shpreh shqetësimin për këtë sulm tashmë të dytë mbi një institucion publik gjatë disa javëve të fundit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të mos shprehin mospajtimet e tyre përmes mjeteve që dëmtojnë pronën ose që mund t’u shkaktojnë dëm jetës së njerëzve. U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të gjejnë autorët dhe t’i sjellin para drejtësisë, në mënyrë që të evitojnë çdo përpjekje të tillë në të ardhmen,” vijon më tutje reagimi i zyrës.

Kuvendi i Kosovës u sulmua më 5 gusht me një mjet shpërthyes.

http://kallxo.com/sulmohet-me-mjet-shperthyes-kuvendi-i-kosoves/

Ndërsa. Shefi I Misioni të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviq, thanë se janë të tmerruar nga ngjarja e mbrëmshme, ndërsa sipas reagimeve e dënojnë ashpër sulmin duke iu gëzuar faktit se në sulmin ndaj RTK-së nuk ka pasur të lënduar.

“Jam i tmerruar nga sulmi ndaj RTK-së në kohën kur kishte ende njerëz që punonin brenda ndërtesës. Ky duket të jetë akt frikësimi dhe e dënoj atë në mënyrën më të fuqishme. Ky është sulm ndaj një institucioni të rëndësishëm publik dhe ndaj lirisë së shprehjes,” tha ambasadori Schlumberger.

“U bëj thirrje organeve për zbatim të ligjit që të hetojnë këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sjellin autorët para drejtësisë,” shtoi ai më tutje.

Mijatoviq ngjarjen e mbrëmshme e cilësoi sulm ndaj gjithë shoqërisë kosovare.

“Ky është një sulm i pastër në median e lirë dhe në shoqërinë në tërësi, të cilin e dënoj në kuptimin më të fuqishëm të fjalës. Besoj se ky incident do të hetohet shpejt dhe në tërësi,” tha Mijatoviq.

Sulmin e mbrëmshëm e kanë dënuar edhe qeveria, partitë politike dhe sindikatat e RTK-së.