'Nderi' me Tenderë që e Dëmton Imazhin dhe Buxhetin

Imazhi i Kosovës do të vazhdojë të vuajë përderisa institucionet e vendit e marrin më seriozisht luftën kundër korrupsionit në fushën e prokurimit publik, u tha sot në konferencën në të cilin u publikua raporti “Nder me Tenderë” i monitorimit të prokurimit publik për vitin 2015.

Raporti vjetor i organizatave BIRN Kosova dhe Internews Kosova i cili shpalos dobësitë e evidentuara në prokurimin publik gjatë vitit të kaluar përmban elemente shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike nga ana e institucioneve buxhetore brenda periudhës janar-dhjetor 2015.

Ky raport është i ndarë në 8 kategori dhe përfshin 169 autoritete kontraktuese të cilat kanë zhvilluar procedura përmes prokurimit publik apo kanë tenderuar mallra, shërbime dhe punë.

Në këtë raport thuhet se fenomeni i shpërblimit me tenderë për shoqërinë dhe familjarët e politikanëve në pushtet, apo të zyrtarëve të prokurimit është një trend i cili vazhdimisht po e përcjell prokurimin publik në Kosovë.

Drejtoresha Ekzekutive e BIRN Kosova, Jeta Xharra, tha se pavarësisht që opinioni po vetëdijesohet në raportimin e keqpërdorimeve, buxhetit ende po i shkaktohen dëme nga prokurimi i pandershëm.

“Paraja publike është njëra nga mënyrat e pasurimit të njerëzve në pushtet por abuzimi i tyre me paranë publike po bëhet gjithnjë e më i patolerueshëm nga qytetarët. Sa më shumë po kalon koha, as më shumë po rritet vullneti i qytetarëve për ta raportuar abuzimin e parasë publike”, tha Jeta Xharra.

Sipas bashkë-autores së raportit, Florina Ujupi, institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të punojnë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknologjike në sektorin e prokurimit si dhe ofrimin e bashkëpunëtorëve profesionalë të fushës së prokurimit për gjykatës dhe prokurorë.

“Një trend i cili e ka përcjellë prokurimin publik edhe gjatë vitit 2015 është shpërblimi me tenderë për shoqërinë dhe familjarët e zyrtarëve institucionalë por edhe të afërm të vetë zyrtarëve të prokurimit”, tha Florina Ujupi gjatë prezantimit të të gjeturave të raportit.

Në raport paraqiten në mënyrë grafike statistikat e tenderëve të publikuara nga Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) dhe dallimet se cilat institucione kanë qenë shpenzuesit më të mëdhenj të buxhetit.

Raporti gjithashtu paraqet edhe pjesë nga seancat gjyqësore të monitoruara dhe analizon kontratat kur Autoritet Kontraktuese kanë shkelur udhëzimin administrativ të KRPP-së duke publikuar tenderë pa vlera.

Ky është raporti i dytë vjetor i BIRN Kosova dhe Internews Kosova për prokurimin publik pasi atij të vitit 2015 të titulluar “Arka e Favoreve”.