Presidenti rus Putin takohet me presidentin maqedonas, Gjorge Ivanov. Foto: kremlin.ru

Ndërhyrja Ruse në Ballkan, 'Çështje Kërkese dhe Oferte'

Publikimi i një investigimi mediatik që zbuloi dokumentet e kundërzbulimit maqedonas, të cilat pohojnë se agjentët dhe diplomatët rusë po ndërhyjnë vazhdimisht në politikën e vendit për ta izoluar atë nga ndikimi perëndimor ka shkaktuar një debat të nxehtë te vëzhguesit politikë në Maqedoni dhe te pjesa tjetër e Ballkanit.

Sipas investigimit, të publikuar më 2 qershor nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, NOVA TV dhe Rrjetit të Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit, veprimet e inteligjencës ruse janë zbatuar nga tre agjentë të Shërbimit Informativ të Rusisë, SVR, të mbikëqyrur nga një bazë në kryeqytetin serb, Beograd.

Raporti gjithashtu pretendon se katër agjentë nga Agjencia Kryesore e Inteligjencës, GRU, kanë qenë aktivë dhe janë koordinuar nga kryeqyteti bullgar, Sofje.

Ministria e Jashtme ruse i hodhi poshtë akuzat më 5 qershor si “asgjë tjetër veçse një përpjekje tjetër e ngathët për të zhvendosur përgjegjësinë për krizën e thellë të shtetit maqedonas”.

Në të njëjtën ditë, ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, mohoi të kishte informacione konkrete për një luftë të deleguar ruse në rajon, por njëkohësisht pranoi se kishte “të dhëna për lloje të tilla ndikimi dhe lajme të rreme”.

BIRN i kërkoi ambasadës ruse në Sofje koment, por nuk mori asnjë përgjigje në kohën e publikimit.

Ndikimi Perëndimor dhe Rus

Gjithsesi, raporti nuk rezultoi habi për shumë ekspertë në rajon, duke pasur parasysh ndërhyrjen e shpeshtë politike, diplomatike dhe të inteligjencës së fuqive të ndryshme rajonale dhe globale në rajonin e Ballkanit.

“Problemi kryesor i gjithë rajonit është niveli i lartë i korrupsionit politik dhe administrativ, i cili krijon mundësi për ndërhyrje – të jashtme dhe të brendshme – si oligarkia, krimi i organizuar, etj” tha për BIRN Ruslan Stefanov, drejtor i programit të ekonomisë nga Qendra për Studimin e Demokracisë në Sofje.

Stefanov është bashkëautor i Librit të Kremlinit – një raport mbi influencën e Rusisë në Europën Qendrore dhe Lindore – që u publikua në 2016.

Ai shpjegoi se kanalizimi i influencës ruse përmes Bullgarisë, siç sugjerojnë dokumentet e publikuara të kundërzbulimit maqedonas duket logjike pasi rëndësia ekonomike e Sofjes në Maqedoni është rritur që nga kthimi i Bullgarisë në shtetin më afërt BE-së.

Stefanov gjithashtu theksoi se studimi i tij zbulonte se Bullgaria është vendi i Europës Qendrore dhe Lindore ku interesat ruse janë më të mëdha, në kuptimin e ndikimit politik dhe ekonomik.

Sipas Librit të Kremlinit, Rusia ka zhvilluar një “rrjet të errët patronazhi” në të gjithë rajonin, të cilin e përdor për të ndikuar në vendimmarrje. Ekspertët kanë arritur në përfundimin se depërtimi i interesave politike dhe ekonomike të Rusisë në disa vende, si Bullgaria, është aq i lartë sa arrin të kapë shtetin.

Ilian Vassilev, një analist i rrezikut strategjik në Sofje pranë Qendrës Ballkanike të Studimeve dhe Studimeve të Detit të Zi, si dhe ish-ambasadori bullgar në Moskë, tha gjithashtu se i njëjti nivel i ndërhyrjes ruse të zbuluar në dokumentet e inteligjencës maqedonase ekziston edhe në Mal të Zi, Serbi dhe Bullgari.

“Aktivitetet” (ruse) kryhen nga përfaqësuesit e Shërbimit të Inteligjencës, SVR dhe Drejtoria Kryesore e Inteligjencës GRU, të bazuara në përfaqësitë diplomatike dhe përmes lidhjeve të biznesit”, tha ai.

Vassilev tha se aktualisht në parlamentin bullgar nuk ka parti që ofrojnë kundërshtim të vazhdueshëm ndaj interesave ruse.

Partia Qytetarët për Zhvillimin Europian të Bullgarisë, e qendrës së djathtë, e Bojko Borisovit kundërshtoi të lejonte një flotë të NATO-s në Detin e Zi dhe ka mbështetur projektet energjetike ruse. Partia Socialiste Bullgare është akuzuar se ka marrë udhëzime nga Leonid Reshetnikov, drejtor i Institutit Rus për Kërkime Strategjike, përpara fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2016.

Dyshime për Përfshirje Serbe

Gjatë krizës politike maqedonase, media dhe tabloidët pro-qeveritarë serbë e akuzuan kundërshtarin e Gruevskit, Zoran Zaev – kryeministrin e porsazgjedhur dhe kreun e LSDM – për nxitje të luftës në Ballkan dhe bashkëpunim me shqiptarët etnikë kundër interesave të Maqedonisë.

Dimitar Bechev, një partner jorezident i Këshillit Atlantik në Uashington, gjithashtu pohoi se Rusia ka një prani të shtrirë në Bullgarinë fqinje dhe Serbi.

“Nuk është çudi që Rusia të shtojë veprimet e ndikimit në Maqedoni nëse terreni është pjellor. Gruevski mbështetej nga ministria e jashtme ruse dhe media, por në të shkuarën e largët kompanitë ruse gjithashtu mbështetën LSDM, jo domosdoshmërisht në koordinim me Kremlinin,” tha ai.

Bechev theksoi se ngjarjet në Ballkan janë kryesisht të formësuara nga forcat vendore, “megjithëse ndërhyrjet e Perëndimit shpesh i lëvizin balancat”.

“Rusia luan rol dytësor por është e aftë të shfrytëzojë dobësitë. Prania e saj është çështje kërkesë/ofertë nga aktorët vendas që përdorin Moskën për të çuar përpara synimet e tyre.

Investigimi i fundit nuk është hera e parë e pretendimit të përfshirjes serbe në çështjet maqedonase.

Në maj, media maqedonase publikoi video që tregonin Goran Zivaljeviq, një këshilltar të ambasadës serbe në Shkup dhe oficer i shërbimit të sigurisë serbe, BIA, i cili ishte i pranishëm në Parlamentin Maqedonas më 27 prill kur mësynë protestuesit e dhunshëm.

Zivaljeviq i tha gazetarit të Telma se ishte në Parlament për të parë nëse kishte serbë të përfshirë në incident.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq mbrojti Zivaljeviqin duke thënë se nuk kishte bërë ndonjë gjë që mund të interpretohej si një shkelje e Konventës së Vjenës ose protokollit diplomatik.

“Ai nuk u përfshi në ndonjë aktivitet kriminal, por raportoi për gjendjen në Maqedoni, sepse Serbia duhet të dijë nëse kjo situatë e veçantë mund të ketë efekt në interesat kombëtare dhe shtetërore”, u tha Daçiq gazetarëve serbë në një konferencë për shtyp më 26 maj.

Analisti Vassilev tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundësinë “të ulin egoizmin e tyre” dhe t’i pajtojnë idetë për zhvillim sipas mënyrës europiane. Ai shpjegoi se kjo do të përjashtonte Rusinë dhe kjo është arsyeja përse Moska reagon përmes përpjekjeve për destabilizim.

“Tragjedia e Moskës është se ajo dëshiron të jetë një lider global me interesa të përfaqësuara në shumë vende rreth globit, përfshirë Ballkanin Perëndimor, por nuk luan pozitivisht. Moska nuk ka asgjë për t’u ofruar këtyre njerëzve, përveç frikës dhe destabilizimit. Kjo funksionon, por për një kohë të dhënë”, tha ish-diplomati.