Foto: Facebook

Ndërhyrja në ‘Sabota’- Rrëfime të Ndryshme të Pjesëmarrësve dhe Policisë

Njëri nga pjesëmarrësit e aktivitetit në Qendrën Sociale në “Sabota” në Prishtinë ka rrëfyer se si ndodhi mbrëmë ndërhyrja aty në kohën kur po zhvillohej mbrëmje me muzikë kurde.

Ky person në Facebook ka shkruar se policia për katër orë ka penguar kolektivin e kësaj qendre dhe të pranishmit. Emrin e tij nuk po e publikojmë për shkaqe sigurie.

“Jo për disa minuta, por për 4 orë na kanë pengu policia. Na kanë kontrollu në xhepa njo ka njo e mandej i kan hy krejt qendrës bastisje, por nuk kan gjet kurgjo”, ka shkruar pjesëmarrësi në këtë aktivitet.

Ai tregoi më tutje se u kërcënua nga komandanti policor i operacionit, ndërsa deklaroi se policia nuk kishte urdhër nga gjykata për të bastisur.

“Secili person u kontrollua dhe ju mur identiteti dhe numrat e telefonave, edhe pse policia nuk kishte leje me shkrim nga gjykata për aksion te tillë”, tha ai.

Policia në njoftimin e saj për ngjarjen bën me dije se Qendra “Sabota” nuk kishte leje për aktivitetin e zhvilluar.

“Mbrëmë rreth orës 19;00 policia ka marrë informacionin për një aktivitet te paparalajmëruar dhe për të cilin organizatori nuk është pajisur me lejen e nevojshme nga ana e institucioneve kompetente, aktvitet ky i cili është zhvilluar ne Lagjen Ulpiana ne Prishtinë”, shpjegoi policia.

Policia aktivitetin e ka konsideruar “në kundërshtim me normat e rendit dhe qetësisë publike në zonat urbane”.

Policia për ndërhyrjen në Qendrën “Sabota” është arsyetuar edhe me informatat që kishte se dikush mund të sulmonte gjatë aktivitetit që po zhvillohej.

“Në rrugë operative janë marrë informacione të cilat kanë ngritur bazat e dyshimit se persona të caktuar mund të provojnë të pengojnë në forma të ndryshme zhvillimin e këtij aktiviteti që do të mund të rezultonte me ndonjë incident që mund të prodhonte pasoja”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia njofton se me urdhër të prokurorit ishte autorizuar bastisja në vendin ku zhvillohej aktiviteti dhe gjithashtu edhe krijimi i një perimetri të sigurisë rreth tij.

Pjesëmarrësi në këtë aktivitet thotë se pas shumë debateve me policinë, muzika u lejua të lëshohet me zë të ulët, por sipas tij në mesnatë urdhëroi ndaljen e muzikës dhe shpërndarjen nëpër shtëpi të të pranishmëve.

Policia në anën tjetër tregoi se jashtë perimetrit të qendrës ndaloi dy persona.

“Policia ka ndaluar dhe shoqëruar për në stacionin policor dy persona, njëri per shkakun se i është gjetur një mjet i mprehtë (thikë), ndersa tjetri për shkak se ka dështuar të identifikohet, pra nuk ka pasë asnjë dokument”, sqaroi policia.

Por, ata që ishin në “Sabota” thanë se Policia veproi në mënyrë joproporcionale.

“Tentimi për frikësim/kanosje nga aparati shtetëror ishte fashist dhe totalisht joproporcional me natyrën e organizimit! Shprehja e lirë dhe mendimi ndryshe janë themelet e një shoqërie të shëndoshë, që ky vend ka dëshmuar edhe një herë që nuk ashtë!”,  tha njëri prej tyre.

(Ky artikull është edituar pas paralajmërimit se palët e cituara mund të rrezikohen prej grupeve të afërta me Erdoganin në Kosovë dhe Turqi)