Mejdi Xhokli; Foto: Facebook

Ndër 850 Aplikantë, Posta Përzgjedh Vajzën e Anëtarit të Bordit

Menaxhmenti i Postës është kujdesur që t’i bëjë një vend pune vajzës së Mejdi Xhoklit, anëtar i bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Pranvera Xhokli është në mesin e kandidatëve të suksesshëm në konkursin e Postës së Kosovës për punësimin e recepsionistëve dhe postierëve.

Për 23 pozitat e lira në konkursin publik kanë aplikuar 850 persona.

Në fund ka rezultuar se vajza e anëtarit të bordit të Postës të jetë më e suksesshmja.

Pranvera Xhokli ende nuk është pranuar zyrtarisht në punë, pasi Posta ka kërkuar interpretim ligjor nëse punësimi i vajzës së anëtarit të bordit përbën konflikt të interesit.

“Gazeta Jeta në Kosovë” i ka dërguar pyetje Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe është në pritje të përgjigjeve.

Xhokli ka qenë këshilltar i ministrit të Transportit dhe Post-Telekomunikacionit në periudhën 2005-2008, kur ministër ishte Qemajl Ahmeti nga LDK-ja. Përveç funksionit si anëtar i bordit të Postës, Xhokli është punëtor edhe i ndërmarrjes tjetër Publike, Telekomi i Kosovës. Po ashtu, bazuar në deklarimin e pasurisë edhe bashkëshortja e Mejdi Xhoklit është punëtore e Telekomit të Kosovës.

Anëtari i Bordit të Postës, Mejdi Xhokli e ka konfirmuar se vajza e tij ka aplikuar për t’u punësuar në Postë. Fillimisht ai ka thënë se ende nuk është pranuar dhe se nuk janë publikuar rezultatet e testimit.

“Me apliku ka aplikuar, por rezultatet nuk kanë dalë ende”, tha Xhokli.

Edhe pse rezultatet nuk janë publikuar ende, Xhokli ka qenë i informuar për rezultatet e vajzës së tij kur është pyetur nga “Gazeta JnK”.

“(Vajza) Ka qenë ndër më e mira”, ka thënë Xhokli për “Gazetën Jeta në Kosovë”.

Bashkim Mustafa, zëdhënës i Postës e ka pranuar se një nga personat e suksesshëm në test është në lidhje të afërt familjare me një zyrtar të lartë të Postës, pa treguar me emër.

“Posta e Kosovës, konfirmon se ka kërkuar interpretim ligjor, për arsye se një kandidat që ka dal i suksesshëm në intervistë ka rezultuar të jetë në lidhje të afërta familjare me një zyrtar të  lartë të PK,  dhe jemi në pritje të opinionit përfundimtar nga institucioni kompetent (Agjencioni Kundër Korrupsionit)”, ka thënë Mustafa.

Anëtari i bordit të Postës ka qenë i informuar edhe për hapat që ka ndërmarrë menaxhmenti i Postës për t’ia pranuar vajzën në këtë kompani. Xhokli ka thënë se kërkesa në Anti-Korrupsion është dërguar për vajzën e tij.

“E kemi dërguar në Anti-Korrupsion me këqyr mos ka konflikt interesi diçka”, tha Xhokli.

I pyetur se si anëtar bordi a ka ndikuar në punësimin e vajzës së tij, Xhokli tha se është korrekt në punën që bën.

“Unë jam shumë korrekt dhe nuk ka asnjë ndërhyrje dhe kurrë nuk e bëj atë nëse e njeh Mejdi Xhoklin”, shtoi ai.

E si duket Mejdi Xhokli nuk mendoi mirë për vajzën e tij pasi që pozitën të cilën e ka fituar vajza e tij e quan të ulët.

“Si anëtar i bordit nuk kam të drejtë me ndërhy se janë pozicione shumë të ulëta”, tha Xhokli.

Konkursi ishte hapur në fillim të vitit 2017.

“Gazeta JnK” kishte raportuar për këtë konkurs, për të cilin Posta e Kosovës disa herë kishte refuzuar t’i siguronte qasje gazetës në listën e kandidatëve të pranuar në Postë.

“Gazeta JnK” kishte pranuar shumë më herët raportime se vajza e një drejtori të bordit të Postës do të pranohet në konkursin e hapur në fillim të muajit janar.

Vazhdon Mbipopullimi i Postës