Pika Kufitare Jarinje

Ndalohet Automjeti i Qeverisë së Serbisë me 222 CD nga Ngjarjet e Marsit 2004

KALLXO.com merr vesh nga burime të policisë se një automjet i organeve të Qeverisë së Serbisë i tipit “Shkoda” me ngjyrë hiri është ndaluar në Jarinje mbrëmë.

Automjetin e drejtonte personi nga Vushtrria me inicialet M. A., ndërsa në të ndodheshin edhe N. D. Dhe Z. D.

Në bagazhin e automjetit janë zbuluar 222 CD, për të cilat të ndaluarit kanë thënë se përmbajnë filmime nga ngjarjet e marsit 2004.

Prokurori, sipas burimeve të KALLXO.com, ka urdhëruar konfiskimin e CD-ve dhe marrjen në pyetje të të ndaluarve, të cilët pastaj janë liruar në procedurë të rregullt.

Personave që ishin në makinë u është ndaluar hyrja në Republikën e Kosovës me arsyetimin se paraqesin rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme.

Në marsin e vitit 2004 shpërthyen trazira në Kosovë gjatë të cilave vdiqën 11 shqiptarë e 8 serbë.