Ndalet Rryma në Mes të Debatit për Demarkacionin

Një pjesë e territorit të Kosovës nuk kishte energji elektrike kur profesori i gjeografisë dhe deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i ka numëruar faktet që e kundërshtojnë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Ndërprerjen e energjisë elektrike si shqetësim e ka ngritur deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma, Zafir Berisha, gjatë debatit që po zhvillohet në ambientet e Kuvendit.

“Kur ka filluar Shpejtim Bulliqi me folë rryma është ndalë në gjysmën e Kosovës”, ka thënë Berisha.

Ka folur edhe më shumë, por fjalët e Berishës nuk janë dëgjuar në transmetimin e drejtpërdrejt të Kuvendit të Kosovës në kanalin “Youtube”.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e KEDS/KESKO, Viktor Buzhala, i cili konfirmoi se ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Por, ka thënë se shkaktare e ndërprerjeve kanë qenë disa defekte në rrjetin e KOSTT-it dhe jo debati për demarkacionin.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e Operatori të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Zana Bajrami Rama. Ajo e ka konfirmuar ndërprerjen e energjisë elektrike, mirëpo nuk ka treguar se në cilat pjesë të Kosovës ka ndodhur një gjë e tillë. Ka thënë se KOSTT-i do të njoftojë publikun nëpërmjet një komunikate për media për shkaqet e ndërprerjes së energjisë elektrike.