Foto: Kallxo.com

Admirali i NATO-s: Transformimi i FSK-së Vetëm Përmes Kushtetutës

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFCNP), James Foggo III, përsëriti qëndrimin e NATO-s se ndryshimi i mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të bëhet vetëm përmes amandamentimit të Kushtetutës së Kosovës.

Këtë koment, admirali Foggo e bëri sot gjatë një vizite në shtabin kryesor të KFOR-it në Prishtinë bashkë me Zëvendës Komandantin Suprem i Forcave Aleate për Europë (DSACEUR), gjeneralin James Everard.

“Këshilli Veri-Atlantik ishte këtu vetëm pak muaj më parë dhe mendoj se e kemi bërë mjaft të qartë që politika e NATO-s është që nëse do të ketë transformim të FSK-së në Forca të Armatosura, kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën. Reforma kushtetuese i bie që duhet ta amandamentoni, dhe të kërkohet 2/3. Kur të ndodh të ndodh dhe NATO e bën vlerësimin e marrëdhënieve me Kosovën në të ardhshmen por duhet të bëhet në pajtim me reformën kushtetuese”, tha Komandanti Foggo.

Admirali Foggo tha se nuk i sheh me shqetësim marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë ndërsa foli edhe për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, dhe situatën e krijuar pas kësaj vrasjeje.

“Presidenti i Serbisë Vuçiq qëndroi në Mitrovicë dhe bisedoi me shumë njerëz. Mendoj se kjo ka pasur efekt qetësues në tensionet rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, tha ai.

Sipas komandantit Foggo, ka ende gjëra në të cilat duhet të fokusohet Kosova dhe të vazhdoj përpara.

“Fokusi për të ardhmen mendoj vazhdimi i zhvillimit të shtetit kjo është e rëndësishme, që Kosova të vazhdoj të rafinoj dhe të vendos sundimin e ligjit dhe qeverisjen e pushtetit. Ndriçimi i çdo shtegu  i korrupsionit kudo që ekziston  dhe krijimi i një shoqërie me ndërmarrësit për të krijuar një treg për të punësuar të rinjtë. Në të gjithë botën të gjithë dëshirojnë punë siguri punë, siguri të shtetit të kufijve. Mendoj se këto janë disa nga gjërat që shteti juaj të vazhdoj punën”, tha ai.