Rose Gottemoller, Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s. Foto: KFOR/Facebook/Video

NATO Nuk Ndryshon Qëndrim për Transformimin e FSK-së

Aleanca veri Atlantike mbetet në qëndrimin e njëjtë se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.

Këtë mesazh e dha të premten në Prishtinë Zëvendës Sekretarja e NATO-s Rose Gottemoller gjatë vizitës së delegacionit të Këshillit Veri Atlantik.

“E kemi adresuar çështjen e transformimit të FSK-së. Transformimi i FSK-së është çështje për të cilën duhet të vendosë Kosova por në anën tjetër është shumë e rëndësishme që ky transformim të ndodhë në harmoni me Kushtetutën”, tha Rottemoller para gazetarëve.

Në fillim të këtij viti, Presidenti Hashim Thaçi inicio ndryshimin e misionit të FSK-së duke tentuar që t’i shtojë kompetencat e saj përmes ndryshimeve në ligj, por u tërhoq pas presionit ndërkombëtar.

Numri 2 i NATO-s Gottemoller, tha sot se megjithatë, NATO nuk e ka ndërmend ta largojë nga Kosova misionin e vet ushtarak paqeruajtës.

“KFOR do të mbesë në Kosovë aq sa është e nevojshme, nuk do të largohemi derisa detyra jonë të përfundojë”, tha ajo.

Këshilli Veri Atlantik është organi kryesor vendimmarrës në NATO, i përbërë nga përfaqësues të 29 vendeve anëtare nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Në këtë vizitë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të këtij këshilli si dhe të vendeve kontribuuese në KFOR që nuk janë anëtare të NATO-s.