Foto: NATO

NATO me Bazë të Re në Gjermani

Baza e re logjistike e NATO-s, hapja e së cilës ka për qëllim të frenoi Rusinë, do të vendoset në qytetin e Ulmit, ka njoftuar ministria gjermane e Mbrojtjes.

Sekretari shtetëror në ministrinë e Mbrojtjes, Peter Tauber, ka njoftuar me anë të një letre deputetët gjermanë se plani më i gjerë për qendrën e re komanduese do të kompletohet deri kah mesi i prillit dhe pritet që vendimin zyrtar aleanca për këtë ta marr në takimin e ministrave të Mbrojtjes të shteteve anëtare, i cili do të zhvillohet më 7 dhe 8 qershor.

NATO është e mendimit se komanda e re logjistike do të mundësojë lëvizjen më të shpejtë të ushtrisë në Evropë, në rast të ndonjë konflikti potencial, ndërsa Komanda veri-atlantike për planifikim dhe strategji do të krijohet, me qëllim që të garantojë sigurinë e anijeve gjatë lundrimit, për t’i mbrojtur nga sulmet e nëndetëseve të armikut.

Tauber theksoi se vendosja e komandës në Ulm do të mundësojë veprim të koordinuar të disa sistemeve, duke pasur parasysh se në këtë qytet në jug të Gjermanisë është i vendosur edhe Shtabi i përbashkët multinacional, i kryesuar nga Gjermania, në të cilën planifikohen dhe zbatohen komandat, siç janë kontrolli i operacioneve globale dhe menaxhimi i krizave për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Gjermania ofroi që të jetë vendi në të cilin do të vendoset komanda e re, pas trysnisë gjithnjë e më të madhe të Uashingtonit dhe aleatëve nga Evropa Lindore ndaj Berlinit, që Gjermania të shtoi shpenzimet për ushtri./21Media