Foto: NATO

NATO Kundërshton Idenë e Thaçit për FSK-në

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Stoltenberg tha nëse mandati i FSK-së ndryshon në këtë mënyrë, NATO do ta rishikojë mbështetjen për këtë forcë.

Ai u bëri thirrje liderëve të Kosovës që “të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me Beogradin” për këtë nismë.

“Sot kam folur me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin Isa Mustafa për t’ua përcjellur shqetësimet serioze të NATO-s rreth propozimeve të fundit nga autoritetet e Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri, pa ndryshime kushtetuese. Ua kam bërë të qartë se hapat e tillë të njëanshëm janë të papranueshëm dhe kam kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me Beogradin”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s në deklaratë.

“Në vitet e fundit, NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së në një forcë profesionale dhe multietnike”, shtoi ai.

“Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje e brendshme e institucioneve vendore të Kosovës në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese. Megjithatë, nëse mandati i FSK-së ndryshon tani në mënyrën si është propozuar, NATO do ta rishikojë nivelin e vet të përkushtimit, sidomos në kuptim të ndërtimit të kapaciteteve. Këtë e kam bërë të qartë gjatë vizitës sime në Kosovë në shkurt dhe e përsërita edhe në bisedat telefonike sot”, u shpreh Stoltenberg duke shtuar se ai do të qëndrojë në kontakt të ngushtë me partnerët e tij në Bashkimin Europian.